Ndërlidhjet

HARADINAJ:" KËRKOJ MBËSHTETJE TË PAREZERVË PËR INSTITUCIONET E KOSOVËS"


Zijadin Gashi, Prishtinë

Në pesëvjetorin e themelimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, njëherit kryetar i AAK-së, përmes një thirrjeje telefonike nga Haga, u ka kërkuar qytetarëve dhe anëtarësisë së AAK-së, t’i përkrahin institucionet e Kosovës dhe të bashkëpunojnë me bashkësinë ndërkombëtare në funksion të procesit aktual në Kosovë. Thirrja telefonike e Haradinajt nga Haga, u realizua ndërsa AAK-ja po kremtonte 5-vjetorin e saj dhe po prezantonte të arriturat si subjekt politik, por edhe si parti politike që drejton qeverinë e koalicionit. Haradinaj kërkoi me këtë rast në rend të parë përkushtim më të madh për procesin aktual dhe lënien anash të ndasive në Prishtinë, në lidhje me çështje të ndryshme:
“Ajo që do të kërkoja nga të gjithë është një mbështetje e parezervë për institucionet e Kosovës, një bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare në Kosovë për t’i shtyrë proceset përpara. Është krejt e natyrshme që shumë çka secili prej nesh do ta mendonte ndryshe, apo do të kërkonte që të ishte më mirë, por mënyra e vetme për të bërë më mirë në Kosovë dhe për t’ia arritur qëllimit është mbështetja e proceseve, mbështetja e institucioneve pa rezervë, lënia mënjanë e dallimeve dhe kështu gjithnjë duke qenë të vetëdijshëm se janë momente jetike për Kosovën," tha zoti Haradinaj.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës dhe nënkryetari i parë i AAK-së, Bajram Kosumi, tha se qeveria e tij ka trashëguar të arritura të mëdha për tre muajt që Ramush Haradinaj ishte në krye të qeverisë. Kosumi tha se besonte në pafajësinë e kryetarit të AAK-së Haradinaj, i akuzuar nga Tribunali i Hagës, sikurse e çmoi lart veprimin e Haradinajt për të bashkëpunuar me Tribunalin. Në vazhdim, Kosumi tha se për qeverinë e tij ka disa prioritete, ndër të cilat sipas tij, më të rëndësishmet janë statusi dhe zhvilimi ekonomik:
“Arritja e pavarësisë dhe përkujdesja për qytetarët. Kjo nënkupton adresimin dhe zgjidhjen e problemeve të vërteta të qytetarëve, në vend që të shpenzojmë kohën dhe energjinë tonë në zhvleftësimin e njëri tjetrit”, tha Kosumi.
Për pesë vite, AAK-ja është udhëhequr nga Ramush Haradinaj , i cili vazhdon të jetë kryetar i saj në mungesë. Ky subjekt politik përfaqësohet me tetë deputet në Kuvend, është pjesë e koalicionit aktual qeverisës, të cilin e drejton sikurse edhe katër ministri të saj.




XS
SM
MD
LG