Ndërlidhjet

GAZETARËT KËRKOJNË TRAJTIM MË TË MIRË NGA INSTITUCIONET E KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Në Kosovë egziston liria e shprehjes për një klasë gazetarësh, por nuk egzistojnë mekanizma për të mbrojtur gazetarët që punojnë në kërkim të së vërtetës, kanë thënë sot në Prishtinë, përfaqësues të asociacioneve të gazetarëve të Kosovës në ditën ndërkombëtare të lirisë së shprehjes. Përmes një proteste simbolike përpara ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ku janë edhe zyrat e qeverisë, gazetarët kanë bllokuar trafikun për 15 minuta, për t’ua tërhequr vëmendjen institucioneve për të drejtat e gazetarëve dhe për të kërkuar trajtim më të mirë gjatë punës. Kryetari i asociacionit të gazetarëve profesionistë të Kosovës, Naser Miftari tha:
"Jemi mbledhur sot spontanisht siç po e shihni duke shkelur rregullat dhe duke bllokuar trafikun, vetëm për të treguar në këtë ditë, që është ditë ndërkombëtare e lirisë së të shprehurit, shkallën e ulët të respektit që e tregon qeveria dhe institucionet tona për median e lirë dhe që përpiqen vazhdimisht ta bllokojnë atë", tha Naser Miftari, duke shtuar se ajo që mund ta bëjmë është që ta tërheqin vërejtjen të paktën për 15 minuta për lirinë e të shprehurit që është e shenjtë për ne. Ndërkaq, gazetari i njohur Baton Haxhiu, tha se nuk mund të thuhet që në Kosovë egziston liria e të shprehurit:
"Liria për të shprehur në gazeta egziston, bile ndonjëherë është aq e lirë sa ndonjëherë ka gabime të qëllimshme, por po flas për gazetarinë e partive politike, nuk po flas për gazetarinë, e cila ndërtohet mbi disa parime të tjera. Kjo protestë e sotme është për të thënë se nuk duhet penguar puna e gazetarëve, pasi liria e të shprehurit është themeli i demokracisë në këtë vend".
Sipas zotit Baton Haxhiu një nga brengat kryesore është mungesa e mekanizmave për mbrojtjen e gazetarëve:
"Nuk egzistojnë mekanizma, pasi ato ndërtohen përmes shoqatave, por nuk egziston respekt për punën e gazetarit, i cili i hyn rrezikut për të vërtetën, prandaj ky tubim është quajtur me sloganin “E vërteta dhemb”. Prandaj ne, përmes të vërtetës, duhet të ndërtojmë një rrugë e cila e largon korrupsionin dhe njerëzit që abuzojnë me institucionet".
Duke folur për nivelin profesional të gazetarëve në Kosovë, dhe shkaqet e një mungese të theksuar të profesionalizmit në disa raste, zoti Baton Haxhiu thotë:
"Gabimet janë për shkak se neve na mungon ndjenja për profesionalizmin, për shkak të rritjes së numrit të mediumeve dhe mungesës së një edukimi përkatës në Universitetin e Prishtinës".
Aktualisht, në Kosovë dalin 9 gazeta të përditshme, funksionojnë 3 televizione me frekuenca nacionale, dhjetëra televizione lokale si dhe disa qindra radio lokale.

XS
SM
MD
LG