Ndërlidhjet

NËNSHKRUHET MARRËVESHJA QË KOSOVËS I MUNDËSON MARRJEN E KREDIVE NDËRKOMBËTARE


Albana Isufi, Prishtinë

Që sot Kosova mund të aplikojë për marrjen e kredive nga i vetmi institucion ndërkombëtar financiar që e ka lejuar këtë gjë, Banka Evropiane për Investime.
Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi dhe përfaqësuesja e Bankës Evropiane për Investime Gramatiki Cingou, nënshkruan sot në Prishtinë marrëveshjen kornizë me të cilën Kosovës i lejohen kredi afatgjatë, për projektet që në përgjithësi sjellin të ardhura dhe ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, ka thënë se me nënshkrimin e sotëm është parë se statusi i pazgjidhur i Kosovës, nuk është pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit.
"Statusi i Kosovës edhe më tej është një synim për të cilin po përpiqemi, por ndërkohë nuk mund të presim. Ne duhet të lëvizim përpara dhe jo vetëm në ekonomi", tha Jessen Petersen, duke shtuar se shpreson që edhe institucione të tjera financiare ndërkombëtare do të lejojnë që Kosova do të ketë qasje në to.
"Unë shpresoj se nënshkrimi i marrëveshjes së sotme do të shërbejë si një shembull i rëndësishëm edhe për institucione të tjera ndërkombëtare që nënshkrimi i marrëveshjes së sotme do të shërbejë si një shembull i rëndësishëm edhe për institucione të tjera ndërkombëtare që të zgjerojnë kreditë për Kosovën", tha Jessen Petersen.
Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, e sheh nënshkrimin e sotëm si një sinjal të rëndësishëm për mundësitë investuese në vend, duke marrë parasysh pengesat që ka patur deri tani Kosova, për shkak të statusit të pazgjidhur të saj.
"Nisma e Bankës Evropiane të Investimeve do ta ndryshojë këtë proces në këtë drejtim dhe do të mundësojë që edhe të tjerët të gjejnë rrugë të gjejnë mundësi që të bëjnë investime të kapitalit në ekonominë e Kosovës dhe në infrastrukturën e Kosovës, edhe në fazën kur do të zgjidhet statusi përfundimtar i Kosovës".
Ndërkohë përfaqësuesja e Bankës Evropiane të Investimeve Gramatiki Cingou, theksoi se paqja do të jetë e mundur vetëm përmes një zhvillimi të fortë ekonomik.
"Mendoj që vetëm përmes zhvillimit ekonomik rajoni mund të gëzojë paqe dhe derisa nuk ka paqe, nuk mund të ketë prosperitet, sepse këto dy gjëra shkojnë së bashku. NE jemi këtu për të ndihmuar zhvillimin ekonomik, paqen dhe prosperitetin", tha Cingou. Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian Priebe, theksoi se me nënshkrimin e marrëveshjes është vërtetuar se problemet ekonomike të Kosovës nuk mund të presin zgjidhjen e statusit politik.
" Sot është një ditë e rëndësishme se çështja që shumë kanë besuar se duhet të presë zgjidhjen e statusit final, qasja e Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare është zgjidhur më herët. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme dhe është një shembull edhe për çështje të tjera të jashtëzakonshme", tha Priebe, duke shtuar se megjithatë puna vetëm sa ka filluar dhe Kosova duhet që shpejt të identifikojë projektet që ndikojnë në zhvillimin ekonomik. Kryeministri Kosumi ka vërtetuar se identifikimi i këtyre projekteve do të bëhet shpejt.
"Kërkoj nga qeveria ime të formojë një grup të punës, i cili do të bëjë projekte konkrete ndërministrorë, do të bëjë projekte konkrete për bashkëpunim të qeverisë dhe bizneseve në Kosovë me Bankën Evropiane të Investimeve," tha Kosumi.
Banka Evropiane për Investime do t'i lejojë Kosovës kredi afatgjate, ndërsa subjekt garantues së kthimit të tyre pas shkuarjes së UNMIK-ut do të jenë institucionet e Kosovës. Përqindja e kamatës për këto huazime, sipas përfaqësuesve të kësaj banke, do të jetë e ngjashme me të gjitha vendet e tjera evropiane: 2.5 %.
Marrëveshja kornizë e nënshkruar sot pritet të zbatohet nga Ministria e Ekonomisë dhe e financave.



XS
SM
MD
LG