Ndërlidhjet

REKA: FORUMI JOFORMAL NUK DUHET T'I ZËVENDËSOJË INSTITUCIONET E KOSOVËS


Blerim Reka, profesor në Universitetin e Prishtinës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Reka, shefi i UNMIK-ut ka shpalosur idenë për një forum politik ku do të përfshiheshin liderët kryesorë të skenës politike në Kosovë. Si e vlerësoni rolin e këtij forumi në të ardhmen?

BLERIM REKA
Për forumin kam njohuri aq sa ka opinioni i përgjithshëm, pra nuk i di hollësitë, përveç asaj që kam dëgjuar nëpër media.
Por kushtimisht mund të jap mendimin tim.
Çdoherë po them në mungesë të hollësive burimore, pra ende nuk e kam parë dokumentin me të cilin shpjegohet arsyeja dhe përmbajtja e forumit. Nëse është menduar që të jetë forum politik, që do të thotë vendimmarrës, atëherë mund të diskutohet çështja e paralelizmit të institucioneve, respektivisht e ‘bypassimit’ të tyre. Meqë tani egzistojnë institucionet të cilat janë të përkohshme dhe vetëqeverisëse, por megjithatë janë institucione legjitime, që kanë dalë nga një proces elektoral, nuk di a do të duhej të ishte si zgjidhje më e qëlluar, rikthimi i vendimmarrjes në një institucion, si po thuhet edhe nga vetë kryeadministratori Petersen, joformal. Nuk e di se sa mundet një forum joformal të zëvendësojë institucionet formale.
Kjo është një, dhe e dyta frikësohem se mos me idenë për krijimin e këtyre forumeve, ne po i rikthehemi periudhës së para Rambujesë, respektivisht po e përsërisim modelin e forumeve ad hoc të Rambujesë.
Por, tani pas dy raundeve të zgjedhjeve lokale dhe 2 raundeve të zgjedhjeve qendrore, kur egziston një adresë legjitime e Kosovës, sa do të jetë pretencioze që 5 liderë politikë të zëvendësonin tërë peshën dhe spektrin institucional që është vendosur në Kosovë.
Kjo është e vetmja dilemë për mua. Përndryshe pse jo, nëse është një forum i konsultimeve ndërpartiake, politike, i tejkalimit të mosmarrëveshjeve partiake, po. Por, sigurisht që jo zëvendësim i institucioneve legjitime të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Krijimi i këtij forumi po bëhet pikërisht në këtë muaj, kur edhe pritet vlerësimi i përmbushjes së standardeve, para se të hapen diskutimet për statusin final. Çfarë vlerësime pritni ju, ka pasur arritje apo zvarritje në përmbushjen e tyre ?

BLERIM REKA
Prapë po them, mund të flas kushtimisht, meqenëse deri sot nuk kam lexuar ndonjë vlerësim paraprak të përmbushjes së standardeve sipas fushave. Ka disa përparime, ka disa si të themi lëvizje përpara, por kuptohet nuk mund të flas me kompetencë dhe relevancë profesionale se sa janë arritur me përpikmëri.

RADIO EVROPA E LIRË
Po që se Kosova fiton një vlerësim pozitiv të përmbushjes së standardeve dhe me këtë hapen bisedimet për statusin përfundimtar, si e shihni ju rolin e administratës ndërkombëtare në Kosovë?

BLERIM REKA
Kuptohet se administrata ndërkombëtare e Kosovës do të duhej të luajë një rol të ri tani. Ajo nuk mund të jetë ndërmjetësuese e këtyre bisedimeve apo negociatave eventuale. Unë mendoj që megjithatë, duhet të emërohet një përfaqësues special, respektivisht një mediator, apo ndërmjetësues ndërkombëtar neutral, i pavarur , mundësisht nga SHBA-të. Kjo sepse praktika e luftërave dhjetëvjeçare në Ballkan ka treguar se pa angazhimin direkt të SHBA-ve, nuk kishte dhe nuk ka, besoj edhe sot ndonjë forcë kredibile imponuese, e cila mund të impononte zgjidhje afatgjatë dhe, aq më pak, që do të mund të zbatonte atë që do të arrihej në tryezën e diskutimeve. Prandaj unë mendoj që në vend të administratës ndërkombëtare në Kosovë, pra në vend të PSSP-së duhet të emërohet një mediator, një ndërmjetësues ndërkombëtar dhe mundësisht ai do të duhej të ishte i një rangu të lartë nga SHBA-të.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohët e fundit Komisioni Ndërkombëtar për Ballkanin ka propozuar një pavarësi pa sovranitet për Kosovën karshi propozimit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave se Kosovës duhet t’i jepet pavarësi e plotë, por me prani të vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare. Si i shihni ju këto propozime?

BLERIM REKA
Po nëse i analizojmë të gjitha opsionet statusore për Kosovën që janë dhënë në 5 vitet e fundit, mund të them se ky propozim i fundit është më duket një kthim mbrapa në opsionet statusore për Kosovën.
Grupi Ndërkombëtar i Pavarur për Kosovën i udhëhequr nga Richard Goldstone, pati propozuar pak vjet më parë një opsion që quhej pavarësi e kushtëzuar, që nënkuptonte pavarësi me plotësimin e disa kushteve nga vetë kosovarët. Ndërkohë, GNK doli me opsionin për pavarësi për Kosovën dhe tani e kemi një opsion të tretë, që unë e quaj opsion të pavarësisë së nivelizuar, të shkallëzuar apo të periodizuar, boshe, pra jo të plotë. Kjo, pasi spekulohet me pavarësi pa sovranitet, kur dihet se sovraniteti është pikërisht një instrument, një aspekt shumë i rëndësishëm i pavarësisë, që e bën shtetin e pavarur të jetë i vetadministruar, i vetëqeverisur. Nuk besoj se opsioni i tillë që do të përjashtonte sovranitetin e kosovarëve do të ishte zgjidhja më e mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Javën e kaluar, në një konferencë në Prishtinë, e keni përmendur fundin e vitit 2006 ose fillimin e vitit 2007, si kohë kur thjesht mund të vendoset për statusin e Kosovës. Mund ta zbërtheni më shumë këtë çështje?

BLERIM REKA
Nuk jam shumë i entuziazmuar me idenë për negociatat direkte Prishtinë- Beograd, së paku jo për statusin politik të Kosovës.
Prishtina nuk ka çka të bisedojë me Beogradin për statusin e Kosovës. Për statusin mund të vendosin qytetarët e Kosovës. E dyta, nëse kemi parasysh përvojat krahasuese, siç është rasti i Palestinës, ai i Irlandës Veriore, negociatat politike mund të zgjasin me vite apo me dekada. Aq më tepër nëse i kthehemi vetëm shembullit të Kosovës, ju e dini se çfarë ndodhi me negociatat vetëm për një çështje sektoriale, siç ishte arsimi, e ndërmjetësuar para luftës nga organizata Shën Exhidio, e cila nuk arriti asgjë.
Mos të flasim për përvojën e hidhur të prishjes së negociatave në Rambuje nga pala serbe, e cila u tregua e papërgjegjshme para bashkësisë ndërkombëtare, që të zhvillojë negociata me palën kosovare. Unë në vend të negociatave direkte Prishtinë- Beograd, propozoj që për statusin e Kosovës të mbahet një konferencë paqësore ndërkombëtare, me të cilën përfundimisht do të mbyllej kapitulli i luftës në Kosovë, do të arrihej paqja, e cila do të prodhonte një shtet sovran dhe të pavarur të Kosovës. Fundja, ashtu siç janë bërë konferenca ndërkombëtare për Kamboxhian për Bosnje- Hercegovinën në Dayton, konferenca paqësore që përfundoi luftën në Maqedoni dhe jo me negociata direkte.
Pas kësaj konference ndërkombëtare do t’i lejohej që kosovarët të hartonin kushtetutën e vet dhe në bazë të zhvillimeve të mëvonshme diku në fund të vitit 2006, Këshilli i Sigurimit duke marrë për bazë vendimet e kësaj konference ndërkombëtare do të hartonte një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit, me të cilin do të njihej Kosova si shtet i pavarur dhe sovran, ashtu si para tre vitesh kur Këshilli i Sigurimit aprovoi rezolutën me të cilën e njohu Timorin lindor si shtet të ri anëtar të OKB-së.

Intervistoi: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG