Ndërlidhjet

M. IBRAHIMI: MARRËVESHJA KORNIZË DO TË NDIKOJË NË ZHVILLIMIN EKONOMIK DHE NË ULJEN E PAPUNËSISË


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se marrëveshja e nënshkruar në mes të administratës ndërkombëtare, qeverisë së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime, do t’u mundësojë institucioneve financiare në Kosovë, që njëherë e përgjithmonë të jenë pjesë e Evropës, në këtë rast të Bashkimit Evropian. Mustafë Ibrahimi, nënkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se me këtë marrëveshje, e cila mundëson marrjen e kredive pa e pritur përcaktimin e statusit përfundimtar, zhvillimi ekonomik do të ecë përpara.
“Ne që pas luftës e kemi thënë se çështja e lidhjes së statusit me çështjet zhvillimore ekonomike nuk kanë qenë të drejta dhe në këtë rast mendojmë se më në fund, edhe bashkësia ndërkombëtare e ka kuptuar se zhvillimi ekonomik duhet të ecë para statusit, sepse pa zhvillim ekonomik, edhe statusi do të jetë i mangët,” tha zoti Ibrahimi.
Mundësia për marrjen e kredive nga Banka Evropiane për Investime, do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në uljen e papunësisë, thotë zoti Ibrahimi.
"Kjo është e lidhur drejtpërdrejt me uljen e papunësisë, sepse papunësia si një prej segmenteve që rrezikon stabilitetin ekonomik por edhe atë politik, sigurisht se do të avancohet. Ne mendojmë se më këto kredi do të mundësohet një punësim efektiv, aktiv dhe faktik, sepse deri tani punësimi i cili ka ndodhur në Kosovë ka qenë i ndërlidhur vetëm me aktivitetet të përkohshme apo aktivitetet jo fort të qëndrueshme,” tha zoti Ibrahimi.
Megjithatë, ai tërheq vërejtjen se institucionet vendore duhet të kenë shumë kujdes dhe të jenë të përgjegjshme në orientimin e mjeteve që do t’i marrin me këtë marrëveshje.
“Prioritetet më të mëdha do të jenë në pjesën e zhvillimit ekonomik në agroindustri dhe në sferën e dhënies së iniciativave apo mbështetjes së ndërmarrjeve për prodhim. Në këtë rast unë besoj se institucionet qeverisëse në Kosovë duhet të kenë kujdes që mos të harrojnë se ekonomia e Kosovës nuk mund të ecë përpara vetëm me veprimtari shërbyese, por duhet gjithësi të mbështeten iniciativat dhe aktivitetet prodhuese. Ne vërtet duhet të jemi shumë vigjilent, që vërtet mos të ndodhë që ato mjete të keqpërdoren, të orientohen aty ku nuk duhet dhe me këtë rast institucionet e Kosovës të jenë përgjegjëse për dështimet e mundshme në këtë lëmi,” tha zoti Ibrahimi.
Ndryshe, Mustafë Ibrahimi, thotë se Oda Ekonomike e Kosovës do t’i mbështesë të gjitha bizneset me këtë marrëveshje, të cilat do të dalin me projekte të bazuara në fitim dhe punësim të qëndrueshëm.
XS
SM
MD
LG