Ndërlidhjet

SË SHPEJTI EMËROHEN ANËTARËT E GRUPIT PUNUES PËR KTHIMIN


Albana Isufi, Prishtinë

Edhe më tej nuk dihet se kush do të jetë në grupin punues për kthimin, edhe pse tashmë data dhe vendi i takimit janë bërë të ditura. Zyrtarët e qeverisë së Kosovës, thonë se sot ose nesër do të bëhen të ditur emrat e anëtarëve të grupit punues, të cilët më 12 maj do të udhëtojnë në Beograd në takimin e parë për kthimin e të zhvendosurve. Ndërkohë, takimi i dytë do të mbahet në Prishtinë, një javë pas takimit të Beogradit.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Adem Salihaj, shpreson se ky proces do të jetë i suksesshëm.
“Pas këtij takimi presim një proces më të suksesshëm të kthimit të pakicës serbe në Kosovë dhe integrimit të saj në rrjedhat tona politike dhe në të gjitha të tjerat”.
Ndërkohë, Ministri për Kthim dhe Komunitete Sllavisha Petkoviq, thotë se në takimin e parë për kthimin do të shqyrtohet strategjia se si të zhvillohet më tutje ky dialog.
“Ky është takimi i parë për çështje teknike, ku do të përcaktohet rendi i ditës dhe rregullorja e punës dhe në esencë do të përgatiten bisedat e mëtejme”, tha Sllavisha Petkoviq.
Adem Salihaj, pas një takimi me ambasadorin spanjoll në Beograd, ka thënë se deri tani kthimi nuk ka pasur shumë sukses, sepse sipas tij, shkak kanë qenë pengesat, që i ka bërë këtij procesi Beogradi zyrtar.
“Arsyet në shumë raste janë politike dhe Beogradi nuk ka luajtur një rol inkurajues në çështjen e kthimit të serbëve, përkundrazi, ka pasur një rol negativ dhe pengues në këtë çështje dhe ka penguar po ashtu, siç e dini, integrimin e pakicës në institucionet e Kosovës.”
Ndërkohë, anëtari i Kryesisë së Kuvendit Fatmir Sejdiu, thotë se për një kthim të qëndrueshëm të të zhvendosurve, duhet të krijohen kushtet ekonomike.
“Duhet të sigurohen kushte normale për të gjithë qytetarët e Kosovës, që duan të kthehen në Kosovë, duhet të ngrihen potencialet ekonomike si një parakusht i rëndësishëm për joshjen e qytetarëve që e kanë lëshuar Kosovën për arsye të ndryshme dhe kjo ka të bëjë edhe me serbët, por edhe me qytetarët e tjerë”.
Takimin për të kthyerit do ta kryesojë Komisariati i Lartë për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara.
Kthimi është një nga standardet prioritare, që institucionet e Kosovës duhet ta përmbushin para se të hapen bisedimet për statusin përfundimtar.

XS
SM
MD
LG