Ndërlidhjet

BUSH FILLON VIZITËN QË SHËNON DISFATËN E FASHIZMIT, KOMUNIZMIT


Robert McMahon

Bush do të zhvillojë në Letoni dhe Gjeorgji vizitën e parë të një presidenti amerikan në këto vende. Ky turne është pjesë e një politike delikate që synon të balancojë meritat e sakrificës ruse gjatë Luftës së Dytë Botërore, me njohjen e shtypjes që kanë pësuar popujt gjatë dekadave nën sundimin sovjetik. Këshilltari i presidentit Bush për sigurinë kombëtare, Stephen Hadley, sqaron se Bush ka planifikuar disa fjalime që ia ka dedikuar qëllimit të dytë të kësaj vizite: përhapjes së lirisë dhe demokracisë.
"Atje gjendemi përballe një bote të ndërlikuar. Deri tani janë arritur shumë sfida. Por ky udhëtim ka një tjetër kuptim: presidenti po niset me një vizion e disa parime dhe ai është shumë i qartë mbi këtë vizion e ndihet shumë mirë me këto parime", shprehet Hadley. Në Letoni dhe Gjeorgji sipas Hadley, Bush do të theksojë një teori që e ka quajtur "koncepti i zgjerimit", të lirisë dhe demokracisë. Ai do të theksojë rëndësinë që ka mbrojtja e minoriteteve dhe e të drejtave të njeriut nëpërmjet ligjit dhe institucioneve të pavarura. Presidenti do të nxisë Letoninë që të kujdeset më shumë për nevojat e minoritetit rus. Gjeorgjisë do t'i bëjë thirrje që të zgjidhë në mënyrë paqësore konfliktet në zonat e popullurara nga separatistët pro-rusë. Ndërsa në Moskë Bush do të zhvillojë një takim të shkurtër dy-palësh me presidentin Putin. Ashtu si dhe në vendet e tjera, presidenti amerikan do të takohet me përfaqësues të të drejtave të njeriut dhe të shoqërisë civile. Por administrata amerikane po përballet me zëra që kërkojnë më shumë presion ndaj Putinit. Kongresmeni demokrat amerikan Tom Lantos dhe Christofer Cox, anëtar i Partisë Republikane të drejtuar nga Bush, këtë javë paraqitën edhe një herë kërkesën për të rishikuar pozicionin e Rusisë në Grupin e 8 shteteve më të industrializuara. Putin do të presë këtë grup vitin e ardhshëm, por sipas Lantos, Rusia nuk ka vend në një grup të përbërë nga drejtuesit e demokracisë.
"Nën drejtimin e presidentit Putin Rusia ka hedhur hapa prapa. Media e lirë nuk ekziston më në Rusi, ligjet zbatohen arbitrarisht me metoda jo demokratike dhe në këtë vend ka shumë shkelje të të drejtave të njeriut, " sipas Lantos. Nënsekretarja amerikane e shtetit Paula Dobriansky, deklaroi në Kongres se administrata po përpiqet të përmirësojë situatën në disa fusha në Rusi, siç janë të drejtat e njeriut.
"Në kuadër të propozimit të G-8, unë mund të them vetëm që administrata beson se duke u angazhuar me Rusinë, duke qenë të drejtpërdrejtë me të, shpresojmë të arrijmë ndonjë ndryshim", u shpreh Dobriansky. Këshilltari i sigurisë kombëtare Hadley, e citon fjalimin e Putinit drejtuar kombit gjatë muajit të kaluar, si një sinjal se demokracia po lind. Presidenti Putin deklaroi se qëllimi kryesor i qeverisë së tij është që të garantojë zhvillimin e një shteti demokratik me ideale europiane. Por ai theksoi se Rusia do ta zgjedhë vetë rrugën e saj. Sipas analistëve mesazhet që i dërgohen Rusisë nga diplomacia ndërkombëtare tani janë të rëndësishme. Bush do të takohet me presidentët e 3 vendeve balltike, për të theksuar forcën e aleancës së tyre me Shtetet e Bashkuara.
XS
SM
MD
LG