Ndërlidhjet

KLINA, DARDANA, FUSHË KOSOVA, GJILANI E DRAGASHI, PRIJNË NË PËRMBUSHJEN E STANDARDIT TË LIRISË SË LËVIZJES


Albana Isufi, Prishtinë

Veriu i Kosovës edhe më tej mbetet rajoni ku më së paku është bërë në lirinë e lëvizjes, ndërkohë që në vendet e tjera të Kosovës, qytetarët e të gjitha etnive kanë filluar të lëvizin lirshëm, vlerësojnë përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës dhe UNMIK-ut.
Bashkëkryesuesi i grupit punues liria e lëvizjes dhe kthimi i qëndrueshëm, Lutfi Haziri, vlerëson se liria e lëvizjes është përmirësuar dukshëm krahasuar me vitin e kaluar.
“Absolutisht nuk mund të krahasohet me vitin e kaluar, ka lëvizje shumë të madhe, është konstatim edhe i grupit punues liria e lëvizjes dhe kthimi i qëndrueshëm. Po punohet kryesisht në sigurinë më të madhe në veri të Kosovës dhe vetë fakti i heqjes së barrierave në urën e Mitrovicës, ka ndërtuar mirëbesim se kjo do të ngrejë kapacitete të reja”.
Zyrtarët e UNMIK-ut, thonë se kohët e fundit ka pasur rënie të incidenteve ndëretnike dhe ky fakt ka ndikuar pozitivisht në lirinë e lëvizjes. Laurie Wiseberg, bashkëkryesuese e grupit punues liria e lëvizjes dhe kthimi i qëndrueshëm, thotë se minoriteteve u është krijuar siguria për të lëvizur lirshëm brenda Kosovës, por edhe më tej egziston hezitimi për ta bërë këtë.
“Edhe më tej kjo mbetet një çështje e perceptimit, dhe shpesh perceptimi dhe realiteti në terren nuk janë e njëjta gjë. Pra nëse minoritetet perceptojnë se është rrezik të lihet enklava dhe të udhëtohet, ata hezitojnë të udhëtojnë. Pra, duhet të punohet më shumë në perceptimet e qytetarëve dhe ata duhet ta kuptojnë se ka siguri për të lëvizur dhe udhëtuar brenda Kosovës”, thotë Laurie Wiseberg, duke shtuar se veriu i Mitrovicës është vendi me perceptimet më negative rreth lirisë së lëvizjes, qoftë nga serbët e veriut, qoftë nga shqiptarët e jugut.
Por, koordinatori i qeverisë për standardet Avni Arifi, thotë se kohët e fundit vetë minoritet mendojnë se ka liri më të madhe të lëvizjes.
“Në bazë të një analize hulumtimi kemi një rritje të perceptimit të qytetarëve, kryesisht minoritarë. Rreth 20 përqind nga lista e të intervistuarve është rritur për 20 përqind më shumë. D.m.th. rreth 60-70 përqind të njerëzve nga pakicat e ndryshme konkludojnë se ka më shumë liri të lëvizjes”.
Ndërkohë, Klina, Fushë Kosova, Dardana, Gjilani e Dragashi, sipas, Avni Arifit, janë komunat të cilat prijnë në përmbushjen e standardit të lirisë së lëvizjes. Projekti i qeverisë për sistemin e integruar të transportit, që do t’i lidhte enklavat me pjesët e tjera të Kosovës, sipas Arifit do të ndikojë pozitivisht në lirinë e lëvizjes.
“Ka një aktivitet posaçërisht të institucioneve të Kosovës në rritjen e vijave transportuese, në rritjen e të punësuarve, qoftë në nivel qendror qoftë në atë lokal”.
Ndërkohë, Laurie Wiseberg, mendon se në standardi i lirisë së lëvizjes do të fitojë notë pozitive në kohën kur do të bëhet vlerësimi përfundimtar i standardeve nga ana e Këshillit të Sigurimit.
“Mendoj se ajo çfarë do të kemi është vlerësimi se liria e lëvizjes është përmirësuar dukshëm, por është edhe me tej e brishtë. Ne duhet të punojmë edhe më shumë siç është rasti i sistemit të integruar të transportit, ku linjat e reja do ta lidhnin Prishtinën me Graçanicën apo vendet e shumicës me ato ku jeton pakica dhe anasjelltas", thotë Wiseberg, duke shtuar se për një liri të lëvizjes së plotë mund të flitet vetëm atëherë kur Prishtinën ta ndjejnë si kryeqytet të tyrin të gjitha minoritetet e Kosovës.
Liria e lëvizjes është një nga standardet prioritare që duhet të përmbushet nga institucionet e Kosovës, para hapjes së dhe bisedimeve për statusin përfundimtar. Ndërkohë grupi punues liria e lëvizjes dhe kthimi i qëndrueshëm mbajtën sot një takim, në të cilin, përveç arritjeve të javëve të kaluara, u shqyrtuan hapat që duhet ndërmarrë në një periudhë afatshkurtër, në mënyrë që ky standard të marrë notë pozitive kur të bëhet vlerësimi përfundimtar i përmbushjes së standardeve.

XS
SM
MD
LG