Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Ç'DO TË NDODHË ME SISTEMIN GLOBAL QË LINDI PAS LUFTËS SË DYTË BOTËRORE?


Jeffrey Donovan

Këto ditë mbushen 60 vjet nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, nga hiri i së cilës u ngritën institucionet si Kombet e Bashkuara, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, që ndihmuan ngritjen e politikave globale dhe ekonomike.
Një tjetër qëllim i këtyre organizatave është parandalimi i një lufte të tretë botërore.
Por vitet e fundit, në këtë sistem të pasluftës, janë vënë re spekullime se ndoshta ka ardhur koha për të ndërtuar një sistem të ri.
Diplomati amerikan John Bolton i përmblodhi qëllimet kryesore të Kombeve të Bashkuara dhe sistemin ndërkombëtar të pasluftës gjatë një fjalimi që mbajti në Senatin e Shteteve të Bashkuara.
"Tani më shumë se kurrdoherë më parë, Kombet e Bashkuara duhet të luajnë rol kritik për të realizuar ëndrrat, shpresat dhe qëllimet në bazë të të cilave u krijua kjo organizatë: të shpëtojmë brezat e ardhshëm nga lufta. Tani duhet të rikonfirmojmë besimin te të drejtat themelore të njeriut. Këto synime kërkojnë udhëheqje vendimtare nga Amerika", tha Bolton.
Bolton, kandidati i presidentit Bush për ambasador të Amerikës në Kombet e Bashkuara, është figurë kontraverze, ashtu si dhe Paul Wolfovitz, arkitekti i luftës në Irak, i cili është emëruar në krye të Bankës Botërore. Këto dy emra konsiderohen si figura që mishërojnë politikat e njëanshme të Amerikës, të cilat sipas kritikëve kërcënojnë sistemin shumëkombësh që duhet të përfaqësojnë. Ky sistem, i cili është ngritur nga hiri i luftës tani ndodhet nën presion të vazhdueshëm. Por pikërisht roli që Amerika i ka ngarkuar vetes si krijuesja e institucioneve te pas-luftës, shihet me mosbesim nga kritikët e administratës së Bushit, të cilët qëndrimet e Uashingtonit e shohin të njëanshme. Autori britanik George Monbiot, beson se këto institucione janë veglat kryesore të pushtetit amerikan, dhe vendeve tjera iu ofrojnë nga një rol të vogël sa për t'i bërë të ndihen sikur po luajnë dhe e thonë fjalën e tyre në këtë sistem. Monbiot përkujton kohën e artë të vendimeve që u morën nga presidentët e pas luftës, Franklin Roosevelt dhe Harry Truman. Por sipas redaktorit të "Guardian", liderët aktualë amerikanë krijojnë indinjata në mbarë botën duke përbuzur natyrën multilaterale të sistemit të pas luftës.
"Ata propozojnë kthimin në një sistem të njëanshëm, i cili do t'i detyronte shtetet e tjera të rezistojnë. Kështu ata nuk e ngrejnë dot sistemin e vërtetë, siç e bënë njerëzit e mëdhenj si Roosevelti dhe Trumani. Liderët e sotëm i dëmtojnë interesat e veta pasi duke duke u përpjekur t'i imponojnë fuqitë e tyre të njëanshme", thotë Monbiot.
Shumë amerikanë konservatorë i kanë kritikuar vazhdimisht Kombet e Bashkuara, se në mesin e tyre kanë shtete jo demokratike, gjë që nuk i leverdis politikave amerikane. Thirrjet për të reformuar Kombet e Bashkuara, tani gjejnë mbështetje edhe në pjesën tjetër të botës pas akuzave për korrupsion dhe politikë të dobët. Ndërkaq dështimet në përpjekjet për t'i penguar krimet në ish-Jugosllavi dhe Ruandë, ishin goditja më e fortë që pësoi kredibiliteti i Kombeve të Bashkuara. Ky fakt u pranua edhe në fjalimin historik që sekretari i përgjithshëm Kofi Anan mbajti vitin e kaluar në Stokholm.
"Zhvillimet e viteve të 1990-ta në ish-Jugosllavi dhe në Ruandë ishin të turpshme. Komuniteti ndërkombëtar natyrisht kishte kapacitetin për të parandaluar këto ngjarje, por iu mungonte vullneti. Kjo do të mbetet një e kaluar e dhimbshme për Kombet e Bashkuara", tha Anan.
Ai bëri thirrje për reforma në Kombet e Bashkuara duke kërkuar edhe ristrukturimin e Këshillit të Sigurimit duke u zgjeruar me anëtarë të ri me qëllim që të arrihet një konsensus i gjerë global. Ndërkohë që debati ka arritur kulmin, pikërisht këtë javë Italia ka propozuar një tjetër reformë: të shtohen edhe 10 vende të tjera në Këshillin e Sigurimit.
XS
SM
MD
LG