Ndërlidhjet

MOSKË


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush, është takuar sonte me presidentin rus Vladimir Putin. Takimi është mbajtur me dyer të mbyllura. Para se të hynin në takim, Putin, tha se vizita e presidentit amerikan ka "rëndësi të veçantë". Ai foli për "vëllim shumë të madh të bashkëpunimit" ndërmjet dy vendeve.
Ndërkaq, presidenti Bush, tha se po e pret ceremoninë e nesërme në Sheshin e Kuq. "Ky është momenti kur bota do të njohë trimërinë dhe sakrificën e madhe të popullit rus në mposhtjen e nazizmit", tha ai.
Para se të udhëtojë për në Moskë, presidenti George Bush, ka nderuar ushtarët amerikanë, kanadezë dhe evropianë, të rënë gjatë Luftës, në Varrezën afër Mastrihtit në Holandë, në një ceremoni që shënoi 60 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë.

PRAGË




Fitorja kundër Gjermanisë naziste është shënuar sot edhe në shumë vende të tjera evropiane. Në Moskë, presidenti Vladimir Putin ka nderuar veteranët e luftës, derisa ushtarët kanë marshuar përgjatë rrugës kryesore.
Kurse në Berlin, forca të shumta të policisë speciale kanë parandaluar përleshjet e mundshme ndërmjet ekstremistëve të djathtë dhe atyre të majtë. Policia ka rrethuar grupin prej 3 mijë neo-nazistëve, derisa në afërsi të tyre, ishin mbledhur rreth 5 mijë anti-fashistë, me qëllim që ta parandalonin fillimin e marshit të planifikuar. Hans Ulrich Perels, një demonstrues antifashist, tha se fitorja mbi fashizmin nuk duhet të harrohet kurrë. "E kuptoj si jashtëzakonisht të rëndësishme atë që përkujtojmë në këtë ditë, sidomos në Gjermani. Ne duhet të kujtojmë vazhdimisht atë që ka ndodhur asokohe, si viktimat e Holokaustit, dhe të parandalojmë pasojat e tilla në të ardhmen", tha Perels.
Fitorja ndaj nazizmit është shënuar edhe në Austri. Një grup fëmijësh nga vende të ndryshme të Evropës, kanë ndezur 100 mijë qirinjë, në kujtim të viktimave të kampit të fundit nazist, afër Lincit.
Kurse në Francë, presidenti Jacques Chirac, e ka shënuar këtë përvjetor me vendosjen e një kurore tek varri i ushtarit të panjohur, në Paris.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG