Ndërlidhjet

KUVENDI DO TË DISKUTOJË DECENTRALIZIMIN NË MES TË MAJIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Partitë kryesore politike në Kosovë janë pajtuar sot që më datë 19 maj, Kuvendi i Kosovës të shtrojë për debat parlamentar çështjen e decentralizimit dhe pilot projekteve të propozuara nga qeveria. Ky vendim është marë nga Kryesia e Kuvendit, e cila është zotuar që Parlamenti të shtrojë për debat të gjerë decentralizimin dhe në fund të nxjerr rekomandime, të cilat do t’i dorëzohen qeverisë, para se ajo të shpallë të nisura zbatimin e pilot-komunave për testimin e këtij procesi gjatë 18 muajve të ardhshëm. Anëtari i Kryesisë së Kuvendit nga radhët e Lidhjes Demokratike, Fatmir Sejdiu, tha se decentralizimi është një pjesë e obligimeve dhe standardeve për Kosovën. Reformimin e pushtetit lokal e kanë bërë dhe vendet e tjera me demokraci më të avancuar:
“Pilot-projektet apo decentralizimi apo formulimet e tjera janë pjesë e një nevoje të reformës së përgjithshme të pushtetit lokal. Ajo duhet të krijojë një bazë ligjore apo një infrastrukturë të domosdoshme, e cila do të jetë garante për një hap më afatgjatë të zhvillimit të këtij procesi. Ne nuk kemi dëshirë që të hyjmë në diçka që nesër mund të jetë demant i këtij angazhimi, por të jetë një proces i mirëfilltë dhe të studiohet si duhet”, tha Sejdiu.
Kërkesa e vazhdueshme që Kuvendi ta shqyrtojë decentralizimin ka ardhur nga subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike. Kjo parti politike i ka braktisur seancat e fundit në shenjë proteste, sepse partitë në pushtet, që bëjnë shumicën parlamentare, nuk qenë pajtuar atë kohë që ky debat të hapej në Kuvend. Prandaj tani zyrtari i lartë i saj dhe anëtari i kryesisë, Xhavit Haliti, tha se pret që nga debati të dalin rekomandime të dobishme për qeverinë, në mënyrë që procesi të marrë kahjen e drejtë dhe të mos ketë më nevojë për korrektime gjatë fazave të zhvillimit:
“Me këtë seancë edhe pse e vonuar shumë do të debatohet për pilot-projektin e qeverisë që është propozuar. Është e paraparë që një ditë e tërë të jetë e shpenzuar vetëm lidhur me këtë debat”, tha Haliti.
Për shqyrtimin e decentralizimit është pajtuar dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila drejton qeverinë e koalicionit. Naim Maloku nga ky subjekt politik tha se qeveria e ka deponuar materialin e nevojshëm te deputetët dhe tani pritet që Kuvendi të fillojë një debat të gjerë për zhvillimin e këtij procesi:
“I gjithë materiali është përgatitur, ka ardhur edhe materiali i qeverisë së kaluar e gjithashtu edhe ky tani për pilot-projektet, dhe normalisht që do të jetë një debat gjithëpërfshirës, konstruktiv ku do të jepen sugjerimet, vërejtjet, të cilat do t’i miratojë më pas Kuvendi i Kosovës”, theksoi Maloku.
Në seancën e 19 majit, pas më tepër se një viti të bojkotit, do të kthehet dhe subjekti më i madh i komunitetit serbëve, Lista Serbe për Kosovën e Metohinë, e cila kryesisht përbëhet nga deputetët e ish-koalicionit “Kthimi”. Rangjel Nojkiq, nga Lista Serbe tha se komuniteti serb insiston që në Kosovë të zbatohet decentralizimi dhe për këtë shkak do të marrin pjesë, për t’i paraqitur pikëpamjet dhe propozimet e tyre:
“Me siguri se do të marrim pjesë. Mendoj se pjesëmarrja e jonë arsyetohet para së gjithash me faktin se përfaqësuesit e komunitetit serb kanë insistuar në këtë dokument. Normalisht se ai nuk është sipas shijes së të gjithëve, por nuk mund të largohemi nga diçka, për të cilën ne jemi angazhuar vazhdimisht”, thekson Nojkiq.
Sipas planit të qeverisë së Kosovës, ka pesë pilot-komuna të reja, në të cilat do të testohet decentralizimi. Këto komuna-pilot janë Graçanica, Juniku, Hani i Elezit, Parteshi dhe Mamusha. Mirëpo tani varet dhe nga qëndrimi i Kuvendit, si organi më i lartë ligjvënës, se çfarë do të rekomandojë më 19 maj, lidhur me këto pilot-komuna, kur dihet se ka pasur shumë vërejtje dhe mospajtime me propozimet e qeverisë.






XS
SM
MD
LG