Ndërlidhjet

SHIFRAT PËR TË ZHVENDOSURIT KONSIDEROHEN TË PASAKTA


Albana Isufi, Prishtinë

Takimi i parë i grupeve punuese për kthimin ka filluar sot, ndërkohë që edhe më tej numri i saktë i të zhvendosurve nuk dihet.
Qeveria e Kosovës, UNMIK-u, Komisariati i Lartë për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara dhe autoritetet serbe, japin shifra tërësisht të ndryshme rreth numrit të të zhvendosurve jashtë Kosovës.
Ministri i Pushtetit Lokal Lutfi Haziri, thotë se egzistojnë tre raporte të ndryshme, që nuk përputhen me njëra tjetrën rreth numrit të të zhvendosurve.
“Realisht studimet që kanë bërë organizatat ndërkombëtare si është IFI, nga viti i kaluar, flasin që realisht Kosova do të ballafaqohet me një shifër prej 60 mijë të zhvendosur dhe refugjatë që janë duke jetuar me këto kushte që e plotësojnë kategorinë apo kriteret e të zhvendosurve dhe refugjatëve të luftës, me të cilët ne merremi aktivisht. Ndërsa pjesa tjetër e shifrave është kryesisht manipulative, edhe pse unë spekullova me një shifër. Realisht ne nuk presim që ky numër të jetë më i madh, përkundrazi", thotë ministri Haziri.
Pasaktësinë e numrit të të zhvendosurve e pohon edhe zëdhënësi i UNMIK-ut Remi Dourlot.
“Në fakt nuk e dimë numrin e saktë dhe kemi vlerësime nga më të ndryshmet. Ne kemi disa raporte nga disa organizata që thonë se nuk janë më shumë se 60 – 65 mijë të zhvendosur, që ne konsiderojmë se është një numër shumë i ulët, dhe kemi informata të tjera që flasin për rreth 200 mijë të zhvendosur e që ne konsiderojmë se është numër i lartë”, tha Remi Dourlot, duke shtuar se zyra për Kthim dhe Komunitete posedon shifra të tjera.
“Në fakt Zyra për Kthim dhe Komunitete në UNMIK beson se janë diku mes 100-150 mijë persona, që janë ose të zhvendosur, ose refugjatë jashtë Kosovës. Por, problemi kryesor mbetet se ende nuk mund ta dimë numrin e saktë , kryesisht në Serbi Malin e Zi, pa e kryer një regjistrim”, tha Dourlot.
Ndërkohë, zyrtarët e UNHCR-së pohojnë se janë mbi 200 mijë të zhvendosur. Shifër edhe më të madhe të të zhvendosurve jep Ministri për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, Sllavisha Petkoviq.
“Janë mes 250 -300 mijë të zhvendosur. Ata nuk janë vetëm serbë, por të gjithë, serbë, romë, boshnjakë, turq, megjithatë ne ende nuk e dimë numrin e saktë”, tha Sllavisha Petkoviq, duke shtuar se shifrat e UNMIK-ut kanë të bëjnë me të zhvendosurit, të cilët kur kishin ikur nga Kosva janë regjistruar, por sipas tij ka persona të tjerë që nuk kanë dashur t’i nënshtrohen këtij procesi.
Ndërkohë, tejkalimin e kësaj gjendjeje, ministri Haziri e sheh në regjistrimin e sërishëm të të gjithë të zhvendosurve.
“Kemi tre lloj shifrash që flasin për të zhvendosurit dhe refugjatët. Ka manipulim me shifra, kuptohet për motive të ndryshme, dhe rruga më e drejtë është regjistrimi i ri i të zhvendosurve, i cili është i domosdoshëm për nevojat edhe të Kosovës edhe të Serbisë nesër".
Pavarësisht nga konfuzioni që kanë krijuar shifrat e ndryshme të refugjatëve apo personave të zhvendosur, ministrat Haziri dhe Petkoviq, thonë se deri tani është bërë mjaft shumë në kthimin e tyre, pasi sipas tyre janë krijuar kushtet e favorshme, sidomos në rrafshin e sigurisë.
Kthimi, është njëri nga standardet që duhet përmbushur para se të hapen bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës.

XS
SM
MD
LG