Ndërlidhjet

TASHKENT/ ANDIJAN


Presidenti i Uzbekistanit, Islam Karimov, e ka fajësuar organizatën islamike "Hizb ut Tahrir" për dhunën ndërmjet protestuesve dhe forcave të sigurisë, që lanë shumë të vdekur. Në një konferencë në Tashkent, ai tha se beson që protestat në Andijan janë organizuar nga i njëjti grup i cili në mars, pati organizuar protesta në jug të Kirgizisë, me qëllimin që ta rrëzonin qeverinë.
Sipas tij, në përleshjet e djeshme janë vrarë rreth 30 njerëz, por burimet spitalore bëjnë të ditur se numri të vrarëve kalon mbi 50 vetë.
Ndërkohë, të paktën 1 mijë uzbekë kanë kaluar në Kirgizi, derisa trupat qeveritare po përpiqen të vendosin kontrollin në Andijan. Një zëdhënës i rojeve kufitare të Kirgizisë i tha Radios Evropa e Lirë se disa refugjatë kanë hyrë në rajonin Nooken të vendit të tij.
"Afër fshatit Barash në rajonin Noken, rreth 500 vetë kanë hyrë në territorin e Kirgizisë. Ata janë ndaluar nga forcat kufitare, dhe tani jemi në fazën e vendimit se a duhet t'i kthjemë ata në Uzbekistan", tha Gulmira Borubayeva.
Protestuesit, shumica familjarë të atyre që dje e humbën jetën apo u plagosën, shprehen të zemëruar nga aksioni i forcave të sigurisë, të cilat hapën zjarr ndaj grave dhe fëmijëve.
Në Andijan, gazetarët e mediave të huaja kanë thënë se janë urdhëruar që për arsye të sigurisë, sot të largohen nga qyteti. Mbrëmë në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scot McClellan, u bëri thirrje të gjitha palëve që të përmbahen. Bashkimi Evropian e akuzoi presidentin Islam Karimov për dhunën, duke thënë se nuk u ka kushtuar kujdes të mjaftueshëm të drejtave të njeriut dhe uljes së varfërisë, ndërsa Rusia tha se e mbështet plotësisht presidentin Karimov.
XS
SM
MD
LG