Ndërlidhjet

MOORE:"KOSOVËS I DUHET UNITETI I BRENDSHËM"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, në një intervistë gjatë kësaj jave, shefi i Zyrës amerikane në Prishtinë Philip Goldberg, citohet të ketë thënë se " është interes suprem i popullit të Kosovës që të ketë pozicion të përbashkët dhe lidership unik para hyrjes në një fazë shumë të rëndësishme dhe historike". Por është fakt se udhëheqja kosovare në këtë çast nuk është unike, ndërsa tensionet janë në rritje. Sa mund të jetë e rrezikshme kjo e dhënë para fillimit të bisedimeve për statusin përfundimtar?

PATRICK MOORE
Një ndër parimet më të vjetra të politikës, që nga koha e Greqisë dhe Romës, është ai që bashkimi bën fuqinë. Sigurisht është një hap drejt normalizimit të jetës politike në Kosovë, që në vend të jenë të gjitha partitë politike shqiptare në një qeveri, tani i kemi disa në qeveri dhe disa në pozitë. Kjo është politikisht e shëndetshme dhe është shumë e mirë në çdo situatë normale politike. Problemi është që situata për Kosovën për momentin nuk është normale, sepse Kosova gjendet në një periudhë të një rëndësie vitale, mbase në periudhën më të rëndësishme në historinë e saj. Në politikën amerikane për shembull vlen parimi sipas të cilit mund të luftojmë politikisht njëri tjetrin sa u përket çështjeve të brendshme, por është e rëndësishme të prezantojmë një front të përbashkët në politikën e jashtme. Mendoj se kjo është diçka që ndoshta liderët në Kosovë duhet ta kenë parasysh. Gjithashtu duhet të vëmë re se liderët serbë në Beograd e kanë kuptuar këtë parim politik, dhe po tregojnë unitet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarët e Beogradit këtë javë kanë kërkuar nga serbët e Kosovës që të mos hyjnë në institucionet e Kosovës. Çdo të thotë ky vendim?

PATRICK MOORE
Kjo do të thotë se serbët në Beograd dhe serbët në Kosovë nuk kanë mësuar asgjë nga bojkotimi i zgjedhjeve të vitit të kaluar dhe ai mësim konsiston në faktin që ai që qëndron jashtë procesit nuk ka të drejtën e fjalës në të. Kjo është fare e thjeshtë. Gjithashtu nënkupton se serbët në Kosovë nuk kanë kuptuar që nuk duhet ta lenë Beogradin të mendojë për ta, për faktin se Beogradi ka interesat e veta, ndërsa serbët në Kosovë kanë interesa të tjera. Nëse serbët e Kosovës ua gjunjëzojnë mendimin dhe autoritetin e tyre njerëzve që qëndrojnë në Beograd, të cilët Kosovën e njohin vetëm si turistë politikë, atëhere është bërë një gabim. Prandaj zoti Petkoviç vazhdon të jetë përfaqësuesi i një pakice sipas opinionit serb, një njeri që ka mendjen e tij dhe që e kupton se jeton në Kosovë dhe jo në Shumadi. Prandaj ajo që shohim në situatën tërësore serbe, është që nuk është mësuar asgjë dhe nuk ka ndonjë shenjë pozitive për ndonjë ndryshim të madh, qoftë në lidershipin serb në Kosovë, me përjashtim të disa njerëzve si Petkoviç, qoftë në Beograd.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Beograd aktualisht kemi qëndrim unik sa i përket çështjes së Kosovës. Koshtunica Tadiç dhe Drashkoviq janë unikë në formulën:"Më shumë se autonomi, më pak se pavarësi". Si e komentoni ju këtë formulë?

PATRICK MOORE
Këta njerëz e kuptojnë që bashkimi bën fuqinë dhe e prezantojnë këtë parim mjaft mirë. Egziston shprehja e lashtë serbe që vetëm "harmonia i shpëton serbët" dhe ata e kanë përvetësuar këtë mjaft mirë. E dimë nga diplomatët dhe gazetarët që këta liderë një gjë e thonë për opinion publik, ndërsa diç tjetër në planin privat. Në planin privat janë shumë më realistë. Por çështje e rëndësishme është që shfaqja publike që ata ua prezantojnë votuesve të tyre dhe rivalëve e tyre politikë, sjell fuqi dhe bashkim. Sa i përket formulës "më shumë se autonomi, më pak se pavarësi", kjo do të thotë gjithçka dhe asgjë.
Po pse flasin kaq shumë politikanët e Beogradit për Kosovën? Sepse çështja e Kosovës u mundëson atyre të largojnë vëmendjen nga krimi, korrupsioni dhe varfëria, që janë problemet reale të Serbisë. Pra flasin për Kosovën edhe pse sipas analizave të fundit, në këtë plan nuk u ka mbetur shumë për të bërë. Tashmë edhe nga Kombet e Bashkuara është bërë e qartë se Beogradi nuk do të ketë të drejtën e vetos mbi gjërat. Por kjo u mundëson atyre që të flasin shumë pa patur nevojën që të dalin me zgjidhje të vështira për problemet reale të Serbisë.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG