Ndërlidhjet

(S)A JANË SERIOZE FTESAT E BEOGRADIT PËR BISEDIME?


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi ka mohuar sot të ketë marrë ndonjë ftesë zyrtare, apo që të jetë caktuar ndonjë takim ndërmjet tij dhe kryeministrit të Serbisë, Vojisllav Koshtunica. Këto komente kryeministri Kosumi i bëri sot në Prishtinë, duke folur lidhur me një deklaratë të djeshme të zyrtarëve të kabinetit të qeverisë së Serbisë, se një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë do të mbahej më 24 maj në Prizren.
"Nuk dëshiroj t’i komentoj as si serioze dhe as si joserioze, por unë nuk kam asnjë ftesë zyrtare", tha kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, duke shprehur megjithatë gadishmërinë për të biseduar me zyrtarët e Beogradit. Kryeministri i Kosovës tha se e kishte ndërmend t’ia bënte një ftesë zyrtare kryeministrit të Serbisë:
"Jam i gatshëm të takohem me cilindo udhëheqës të Serbisë, pra edhe me zotin Kosthunica dhe jam duke menduar t’i bëj një ftesë zyrtare, që të bisedojmë për mbarëvajtjen dhe progresin në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë".
Kryeministri Kosumi tha se Kosova është e interesuar që dialogu i filluar teknik të mos mbetet në fjalë të kota dhe fotografi për gazeta, por të arrihen rezultatet konkrete:
"Unë kam një listë të gjerë të çështjeve, për të cilat do të doja të bisedoj, duke filluar nga çështjet më konkrete dhe më të thjeshta, e deri tek dokumentacioni kadastral", tha kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, ndërkohë që analisti i pavarur, Ibrahim Berisha, tha për Evropën e Lirë se ndërsa mund të ketë ardhur koha që disa çështje të shtrohen në tavolinën e bisedimeve, për këtë duhet të ketë një rend dite:
"Ndoshta ka ardhur koha që në një mënyrë apo në një tjetër, disa çështje të shtrohen në tryezë edhe me Serbinë, por problemi i parë që mund të dalë në këtë aspekt është se për disa takime dihet vendi, dihet data, por nuk dihet rendi i ditës, ndërsa për një bisedë çfarëdo qoftë, madje edhe jozyrtare, së pari përcaktohet rendi i ditës e pastaj vendi dhe koha".
Analisti Ibrahim Berisha tha se në këtë mes ka një lojë nga ana e Sebrisë, e cila duke parë se pala shqiptare është në defansivë, ka hedhur në opinion idenë e bisedimeve dhe qasja e tyre është shumë e thjeshtë - bisedime me një palë e cila është pjesë e tyre dhe jo partner në bisedime, tha Berisha duke shtuar se në momentin kur nuk ka rend dite, nuk ka ftesë zyrtare dhe nuk ka asnjë detaj të përcaktuar, këto bisedime hyjnë dhe dalin nëpër derë anësore dhe efekti i tyre është më shumë medial dhe publik, sesa real. Ndërkohë që sipas tij, pala shqiptare nuk ka një platformë të qartë qoftë për bisedimet me Serbinë për disa çështje, qoftë për standardet dhe fazën e statusit apo integrimet evropiane:
"Pala shqiptare nuk është në pozitë të lakmueshme pasi ka humbur shumë nga avantazhet që ka pasur pas luftës dhe pala sebe mundohet të përfitojë nga kjo situatë, duke e kushtëzuar paqen në rajon dhe procesin e integrimit në Evropë, për një ulje të pozicionit dhe nivelit të bsidimeve, jo për statusin, pasi nuk duhet të ketë bisedime me Serbinë për këtë çështje. "
Analisti Ibrahim Berisha tha se në këtë çështje nuk ka dhe nuk mund të ketë kalkulime, ndërkohë që synimet e Beogradit shkojnë në drejtim të uljes së nivelit të takimeve bilaterale.
XS
SM
MD
LG