Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

GEORGE BUSH KA NJË PLAN PËR STATUSIN E KOSOVËS


The Washington Post

Pas injorimit afatgjatë të situatës së përshkallëzuar në Ballkan që prej ardhjes së George Bushit në pushtet në vitin 2000, administrata e tij ka vendosur mbi një strategji të re, me të cilën do të vendoset nëse Kosova do të jetë tërësisht e pavarur nga Serbia, thonë disa zyrtarë amerikanë. Një zyrtar i lartë i administratës Bush, citohet të ketë thënë në kushte anonimiteti deri në publikimin e planit, se me ngrirjen e situatës për dy ose më shumë vjet, krijohet një situatë e trysnisë së lartë. Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke dhënë shenja të përkushtimit për zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme në Bosnjë dhe në Kosovë. Plani për Kosovën, i cili do të publikohet nga nënsekretari amerikan i shtetit Nicholas Burns gjatë ditës së nesërme, është hartuar me kujdes, duke zhvilluar bisedime intensive edhe me zyrtarë të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Kombet e Bashkuara së shpejti pritet të emërojnë ambasadorin norvegjez në NATO, Kai Eide, për të vlerësuar nëse Kosova është e gatshme për të hyrë në bisedime mbi statusin përfundimtar. Pas vlerësimit të zotit Eide, i cili pritet të realizohet nga mesi i vjeshtës së këtij viti, Kombet e Bashkuara do të sponsorojnë negociatat ndërkombëtare mbi atë nëse Kosova duhet të mbetet pjesë e Serbisë, të pavarësohet tërësisht, ose të fitojë një status të përzier. Administrata Bush do pritet t’i kombinojë këto lëvizje mbi Kosovën me një vërejtje për Serbinë se marrëdhëniet normale me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n varen nga arrestimi i dy të dyshuarve kryesorë për krime lufte, Radovan Karaxhiq dhe Radko Mladiq. Në dy muajt e fundit, qeveria serbe i ka dorëzuar Tribunalit për Krime Lufte një numër të dyshuarish, por Karaxhiq dhe Mladiq janë thelbësorë për faktin se ata kanë urdhëruar vrasjen e rreth 8,000 myslimanëve në Srebrenicë. Richard Holbrooke, ka thënë se administrata e zotit Bush e ka trashëguar politikën mbi Ballkanin, por nuk e kanë kuptuar dhe vlerësuar atë. “Atyre u është tërhequr vërejtja nga shumë njerëz se situata do të përshkallëzojë dhe tani ata janë në proces të ndryshimit thelbësor të politikës së tyre, gjë që mua më gëzon”, ka thënë zoti Holbrooke. Hapat e fundit të administratës amerikane duket të jenë pjesë e përpjekjeve të Sekretares amerikane të Shtetit, Condoleezza Rice, për t’u marrë me çështjet diplomatike, të cilat janë grumbulluar nga strategët e mandatit të parë të zotit Bush, të cilët më së shumti kanë qenë të përqëndruar në luftën kundër terrorismit. Nënsekretari amerikan i shtetit, Nicholas Burns, gjithashtu ka qenë njeriu kryesor që ka motivuar interesimin e përtërirë të administratës amerikane mbi Kosovën. Dikur, ambasador në Greqi dhe në NATO, zoti Burns është i njohur për së afërmi me çështjet e Ballkanit. Së voni ai ka udhëtuar për në Evropë për të përfituar mbështetjen e aleatëve për nismën e re të administratës amerikane.
Zotin Holbrooke ka thënë gjithashtu se nuk ka asnjë mënyrë që trupat amerikane të largohen nga Kosova para se të arrihet një zgjidhje mbi statusin përfundimtar. “Për Shtetet e Bashkuara çështja kryesore është të marë rolin kryesor nga i cili ka hequr dorë. Nuk mund të kemi një NATO të fuqishme, ose një Evropë stabile, nëse Ballkani gjendet nën zjarr”, ka thënë zoti Holbrooke.
Zyrtarë të administratës Bush pohojnë se ata nuk mund të paragjykojnë se si do të përfundojë procesi që do të vendosë mbi statusin e Kosovës dhe se kjo administratë nuk mund ta mbështesë asnjë opsion në veçanti. Por, zoti Holbrooke thotë se ai e sheh Malin e Zi të ndarë nga Serbia dhe Kosovën si të pavarur, me çka hapen rrugët që të shtatë pjesët e Jugosllavisë së dikurshme të ecin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG