Ndërlidhjet

VAZHDOJNË KRAJATAT E ROMËVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Një nga kampet ku janë strehuar romët e zhvendosur nga anë të ndryshme të Kosovës pas luftës në vitin 1999 është edhe ai në Çeshmen e Llugës në pjesën veriore të Mitrovicës. Në këtë kamp aktualisht jetojnë 120 pjesëtarë të komunitetit rom nga pjesa jugore e Mitrovicës. Me hyrjen në këtë kamp shfaqet një pamje prej 59 barakash, në të cilat janë strehuar tash e gjashtë vjet më se 60 familje me 120 fëmijë. Barakat i ngjajnë shumë njëra-tjetrës – janë pothuajse të rrënuara, pa dritare dhe me kulme prej alumini të bëra keq. Mbikqyrësi i këtij kampi Latif Masurica thotë se kushtet elementare për jetë në këtë kamp janë të papërballueshme, mirëpo ata janë të detyruar të jetojnë aty, pasi nuk kanë se ku të shkojnë. Lidhur me ndihmën eventuale financiare, Latif Masurica thotë:
"Tash e dy vjet nuk kemi asgjë nga ndihmat humanitare dhe gjendemi si të mundemi," tha Latif Masurica, për të shtuar se vijnë plot njerëz për t'i vizituar, por ata vetëm i fotografojnë si të ishin kopsht zoologjik dhe asgjë me shumë.
Ai thotë se situatë e ngjashme mbretëron edhe kur është fjala për arsimimin e 120 fëmijëve sa ka ky kamp:
"Fëmijët shkojnë në shkollë, por si shkojnë, më shumë të zbathur dhe të zhveshur dhe pa libra," tha zoti Masurica, sipas të cilit fëmijëve edhe u vjen turp të shkojnë në shkollë me ato kushte, prandaj shumë prej tyre e kanë lënë shkollën.
Sebiha Bajrami një rome rreth tridhjetë vjeçare, që para dhe gjatë luftës ka jetuar në pjesën jugore të Mitrovicës, në Lagjen e Romëve, e që tash jeton në pjesën veriore të qytetit, thotë se problemi i papunësisë te të rinjtë e komunitetit rom, shkakton edhe një pozitë të rëndë të tyre në shoqërinë kosovare:
"Më shumë ka analfabetë, ndërsa shumica prej tyre nuk punojnë dhe detyrohen të arnohen disi dhe mbledhin gjëra nëpër kontejnerë," tha Sebiha Bajrami.
Në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, të banuar aktualisht nga një shumicë serbe, jeton edhe Jastreb Haziri, i cili para luftës ka jetuar në Lagjen e Romëve në jug. Tani me familjen pesanëtarëshe jeton në një shtëpi që ia ka lënë për ta shfrytëzuar një mik i tij. Por, si jeton familja pesanëtarëshe e tij?
"Askush nuk më troket në derë për të parë se si jetoj. Nuk marr kurrfarë ndihme, ndërsa të gjithë marrin, fëmija im ka qenë i sëmurë për dy javë," thotë Jastrebi, dëshira e vetme e të cilit është që të kthehet në Lagjen e Romëve në pjesën jugore.
Përfaqësuesja për çështje civile e romëve në zyrën për pakica në komunën e Mitrovicës, Elizabeta Bajrami, vërteton fjalët e bashkëbiseduesve tanë të mëparshëm se kushtet jetësore të romëve të zhvendosur e sidomos të atyre që janë strehuar në kampe, është tepër e vështirë:
"Në të katër kampet është situatë e njëjtë – romë që nuk punojnë dhe ka vetëm nja 10-15 veta që punojnë për pastrimin e qytetit, por ata nuk marrin të ardhura të rregullta," thotë Elizabeta Bajrami. Ajo thotë se shumica e njerëzve në kampe janë të sëmurë, ndërsa ndihmat humanitare janë shumë të pakta. Vizitat e ndërkombëtarëve bëhen sa për të marrë mostrat e gjakut për analiza dhe të fotografojnë kampin.
Rreth 8 mijë romë nga Lagja e Romëve në pjesën jugore të Mitrovicës janë zhvendosur pas vitit 1999 dhe nga ky numër rreth 800 persona janë strehuar në 4 kampe në pjesën veriore të Kosovës.
Një javë më parë në Mitrovicë është mbajtur një konferencë donatorësh për të siguruar financat e nevojshme për të rindërtuar Lagjen e shkatërruar të Romëve në pjesën jugore. Qeveria e Kosovës ka dhënë 200 mijë Euro për këtë çështje dhe ka premtuar edhe ndihmë tjetër, për të larguar nga ato kampe banorët romë jeta e të cilëve është rrezikuar për shkak të mbeturinave të xeheve, që kanë shkaktuar rritjen e tepruar të nivelit të plumbit në gjakun e banorëve romë të këtyre kampeve.

XS
SM
MD
LG