Ndërlidhjet

HALLET E SERBËVE TË LLAPNASELLËS


Albana Isufi, Llapnasellë

“Ka serbë që jetojnë për Kosovën dhe ka serbë që jetojnë nga Kosova. Të parët jetojnë në kushte të rënda, ndërsa të dytët jetojnë mjaft mirë.”
Kështu mendon Radivoje Mitroviq, një burrë rreth të 40-tave, që jeton në Llapnasellë, enklavë kjo afër Prishtinës e banuar me serbë.
“Personalisht mendoj se në Kosovë një pjesë e serbëve jeton mirë, por shumica prej 80 për qind mezi jetojnë. Njerëzit që jetojnë mirë janë ata që edhe më herët janë marrë me ndonjë biznes, pastaj njerëzit që shesin pronën dhe hapin biznese dhe që të jem i sinqertë, siç thotë një thënie e jona, një këmbë e kanë brenda vendit e tjetrën jashtë," thotë Mitroviq, për të cilin shkalla e lartë e papunësisë mes serbëve është pengesë kryesore për të pasur një jetë të mirë.
Sllobodan Aksiq punon karrige dhe tavolina të vogla, të cilat i shet në qendër të fshatit. Ankohet se nuk ka punë e as fitim.
Ankohet edhe për mungesën e besimit në mes të shqiptarëve dhe serbëve.
“Populli nuk ka liri të lëvizjes dhe nuk do të ketë as për një kohë të gjatë, edhe pse gjendja po duket se është qetësuar megjithatë, edhe për një kohë të gjatë populli nuk do të guxojë që të lëvizë. Frika egziston, por t’ju them sinqerisht këto dy etnitete, shqiptarët dhe serbët njihen shumë mirë mes vete, e dinë edhe kush si merr frymë, dhe asnjëri s’i beson tjetrit”, thotë Aksiq.
Gjimnazisti i vitit të tretë Milo Stomiq, është nga Çagllavica, fshat ky, që po ashtu gjendet në enklavën serbe. Ka dëshirë të shkojë në qytet, por nuk ka provuar asnjëherë ta bëjë një gjë të tillë.
“Nuk kemi provuar të shkojmë në Prishtinë, as nuk na ka shkuar ndërmend, kemi rënë rreth saj kur kemi shkuar në Serbi, sepse është shumë rrezik”, thotë i riu Milo Stomiq.
Megjithatë, banorët e këtij fshati, sikurse edhe të gjithë kosovarët tjerë përballen me mungesën e shërbimeve të mirëfillta publike.
“Shërbimet mjekësore janë mjaft të dobëta, kapaciteti i ambulancës është i vogël dhe problemi më i madh janë mjekët, duhet deri në Mitrovicë të shkohet për të marrë terapitë,” thotë Radivoje Mitroviq, teksa dilte nga spitali i vogël i fshatit. Ndërkaq internisti që punon në spitalin e hapur para pak kohësh, Dragisha Rashiq, tregon për kapacitetet.
“Pjesa e brendshme e spitalit ka kapacitet prej 7 shtretërish për meshkuj, 6 për femra si dhe 4 për kujdesin intensiv, ndërsa në atë të fëmijëve janë 8 shtretër”, tha mjeku Rashiq.
Banorët e fshatit Llapnasellë burim informatash kanë radiot lokale. Një nga to është Radio Antena. Redaktorja Nada Nikoliq thekson se mungesa e stafit kufizon pasurimin e programit me informata.
“Informacionet që mund t’i marrim janë para se gjithash nga shtypi ditor, që zakonisht vjen me vonesë, nga interneti, ndërsa informacione nga vendi i ngjarjes kemi më pak për shkak të mungesës së stafit , pasi ne nuk mund të financojmë marrjen e gazetarëve të rinj”, thotë Nada Nikoliq.
Derisa liria e lëvizjes shihet nga banorët e enklavave të serbëve si pengesë kryesore për integrim, në takimin e fundit të grupit punues për standardet është vlerësuar se pikërisht ky standard ka shënuar përparim të madh.


XS
SM
MD
LG