Ndërlidhjet

KUVENDI NUK VOTOI, POR OBLIGOI QEVERINË PËR DECENTRALIZIMIN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës e ka obliguar sot qeverinë që ta analizojë debatin e djeshëm parlamentar në lidhje me decentralizimin dhe t’i përfillë të gjitha vërejtjet e parashtruara nga deputetët. Ndonëse epilogu i sotëm i punës së Kuvendit për sa i përket decentralizimit, për disa parti parlamentare mbeti jo krejt i qartë, për shkak të vërejtjeve të tyre të vazhdueshme, megjithatë si marrëveshje në parim, por jo marrëveshje e votuar, doli që Kuvendi e mbështet decentralizimin, por njëkohësisht e obligon qeverinë dhe Ministrinë e Pushtetit Lokal, që t’i marrin parasysh vërejtjet, t’i përfshijë ato në planin e punës për decentralizimin, për t’i kthyer sërish në debat dhe miratim në Kuvendin e Kosovës, brenda një afati sa më të shkurtër. Marrëveshja e partive parlamentare është arritur gjatë një takimi të tyre sot, dhe ajo sipas kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci, e obligon qeverinë për t’i përfillur vërejtjet:
“Qeveria duhet të obligohet që debatin e zhvilluar dje ta analizojë, të përfshijë çështjet thelbësore, esenciale, të rëndësishme që janë theksuar në debat dhe në kohë të caktuar ta kthejë atë material dhe në procedurë parlamentare, ose t’i raportoj Kuvendit për atë që ka përfshirë”, tha Daci.
Ndërkohë që marrëveshjen e plotë të partive në pushtet dhe të atyre në opozitë e ka paraqitur në detaje deputeti Veton Surroi, kryetar i partisë politike Ora:
“Janë katër pika. Pika e parë: Kuvendi i Kosovës përkrah plotësisht procesin e decentralizimit, dy: Kuvendi i Kosovës përkrah plotësisht nevojën që ky proces të jetë legal dhe legjitim, çështja e tretë: Kuvendi i Kosovës formon komisionin mbështetës për procesin e decentralizimit dhe çështja e katërt: qeveria të na e kthejë prapa një dokument, i cili përmban më vete rezymenë. Unë do të lyssa që nëse këto katër pika janë të pranueshme, të mos i hyjmë votimit, sepse edhe debati nuk ka qenë përçarës, debati ka qenë unifikues në këtë Kuvend”, tha Surroi.
Mirëpo përkundër kësaj marrëveshje të deklaruar, kryetari i Partisë Demokratike Hashim Thaçi, kërkoi që Kuvendi të votojë për pilot projektet e qeverisë për decentralizimin, të cilat ai i quajti të dështuara:
“Është arritur konsensus i plotë se ky pilot-projekt është i dëmshëm dhe i pa pranueshëm për parlamentin e Kosovës nga diskutimet e shumë kuvendarëve të Kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës e rithekson edhe njëherë, se kërkon ose të votohet sot pilot-projekti, ose të caktohet një datë tjetër që të kthehet në parlament dhe të votohet pilot-projekti, mundësisht brenda një jave”, pohoi Thaçi.
Me votimin për planin e qeverisë në Kuvend nuk është pajtuar Lidhja Demokratike e Kosovës. Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike, Alush Gashi, tha se qeveria ka marrë mësim nga vërejtjet e shumta dhe ajo tani duhet t’i marë parasysh vërejtjet, duke e kundërshtuar kështu mundësinë e hedhjes në votim të kësaj çështjeje:
“Ne menduam se arritëm një pëlqim lidhur me këtë çështje. Ne e konsiderojmë këtë shqyrtim dhe debat të përfunduar. Ne presim nga qeveria e Kosovës që nga debati i djeshëm të ketë marrë mësime, të cilat do t’i shqyrtojë në qeveri dhe do të bëjë përpjekje t’ua gjejë vendin në projektin e tyre”, tha Gashi.
Kuvendi nuk ka pranuar të votojë, por në fund ka vendosur që ta obligojë qeverinë, që në një afat sa më të shkurtër ta korrigjojë planin e vet për decentralizimin. Për marrjen parasysh të vërejtjeve të parashtruara, në emër të qeverisë është zotuar Ministri i Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri, i cili premtoi se debati do të analizohet dhe vërejtjet do të merren parasysh. Me zotimin e ministrit Haziri, Kuvendi përmbylli përkohësisht kaptinën e shqyrtimit të decentralizimit.
Sidoqoftë plani kornizë i qeverisë për decentralizimin, është një rezultat i marrëveshjes së qeverisë me administratën e UNMIK-ut, kështu që tani me përfshirjen e vërejtjeve të parashtruara nga deputetët, është hapur dhe dilema tjetër se sa këto vërejtje do të jenë të pranueshme për administratën ndërkombëtare. Gjithashtu debati i djeshëm në Kuvend, pavarësisht se a flitet për pozitën apo opozitën, si emërues të përbashkët kishte qëndrimin se pilot-projektet nuk kanë një mbështetje të Kuvendit, pasi deputetët më shumë preferuan zbatimin e reformave të tërësishme, që do të buronin mbi një bazë ligjore apo kushtetuese.


XS
SM
MD
LG