Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

ADEM DEMAÇI: VENDIMI PËR TË MOS UDHËTUAR NË NJU JORK – VENDIM DINJITOZ


"Duke pasur parasysh rrethanat në të cilat punojnë institucionet e Kosovës, është arritur shumë…Ata që i kanë menduar këto standarde, ata do të jenë përsëri personat që do të thonë u bënë apo s'u bënë ato. Domethënë një punë krejtësisht jodemokratike", thotë, pos tjerash, Adem Demaçi, njohës i rrethanave në Kosovë dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Demaçi, si e vlerësoni ju vendimin e kryeministrit Kosumi, që të mos marrë pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit më 27 të këtij muaji, ku do të diskutohet për Kosovën?

ADEM DEMAÇI
Unë mendoj se shumica e popullit, e kosovarëve, e ka kuptuar dhe qëndron pas hapit të tij, sepse do të ishte me të vërtetë një gjest përbuzës, që të shkonte t'ja mbante valixhet zotit Petersen dhe të kthehej pa hapur gojën dhe pa pasur mundësi që të flasë para Këshillit të Sigurimit, ose në një auditor tjetër. Më duket se ky vendim ka qenë i vetmi vendim dinjitoz dhe si i tillë duhet të përshëndetet dhe të përkrahet nga të gjithë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur analistë që mendojnë se megjithatë zoti Kosumi do të duhej të shkonte në Këshillin e Sigurimit. Si u përgjigjeni ju këtyre mendimeve?

ADEM DEMAÇI
Unë besoj se në diplomaci kërkohet një elasticitet, kërkohet një fleksibilitet, mirëpo nuk duhet të tolerohet gjithçka. S'do të kishte kurrfarë kuptimi që zoti Kosumi të shkonte atje si një statujë dhe të kthehej pa çelur gojën dhe pa thënë asgjë. Prandaj ata analistë janë ata që janë të gatshëm që të vazhdohet deri në agoni, kjo gjendja jonë kështu dhe janë të gatshëm sigurisht që të pranojnë çdo zgjidhje që mund të na ofrohet. Fjala duhet të thuhet aty ku duhet të thuhet, aty ku pritet analiza dhe shpjegimi i zgjidhjes së statusit të Kosovës nga një shqiptar, nga një njeri i cili, është zgjedhur në atë post, edhe pse në mënyrë jodemokratike, do të ishte domethënëse. Por të shkosh edhe të kthehesh pa thënë asnjë fjalë, kjo do të ishte nën çdo kriter dhe këtu analizat nuk kanë kurrfarë themeli, kurrfarë mbështetjeje.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç thamë, në këtë takim do të bisedohet për Kosovën. Po ashtu është paralajmëruar se kryeadministratori Soren Jessen Petersen do të paraqesë një vlerësim për arritjen e deritanishme të standardeve në Kosovë. Ka pasur raporte se ky vlerësim do të jetë pozitiv. Sipas jush, sa janë arritur standardet në Kosovë?

ADEM DEMAÇI
Mendoj se duke pasur parasysh mundësitë minimale të kosovarëve, të cilët faktikisht nuk kanë pushtet të vërtetë në duart e tyre, sepse krejt pushtetin e mban zoti Petersen me UNMIK-un dhe krejt mekanizmat e tjera, shtylla e parë, e dytë, e tretë, e katërt, KFOR-i etj…Pra, në këto rrethana, kur faktikisht duart e shumicës së qytetarëve të Kosovës janë të lidhura, sepse qeveria jonë nuk e ka në dorë policinë e vërtetë, qeveria jonë nuk e ka në dorë ushtrinë, nuk i ka mekanizmat të cilat do të bënin të mundur që shqiptarët ta kontrollonin situatën, qeveria jonë dhe policia që i thonë vendëse, nuk ka mundësi që të marrë vendime, por është vetëm ndihmëse e policisë së UNMIK-ut, e cila në të vërtetë e kontrollon policinë kosovare dhe jep urdhëra, nuk ka mundësi që të krijojë mekanizma të domosdoshme për të parandaluar krimin, për të zbuluar krimin, sepse vetëm një polici që ka mundësi të bashkëpunojë dhe të krijojë rrjet të madh brenda popullit të vet, vetëm ajo polici mund ta kontrollojë situatën. Një polici e cila qëndron lart, e cila qëndron jashtë ligjit, e cila vepron jo në kontakt me popullin, sikurse është policia e UNMIK-ut, nuk ka mundësi që të krijojë rrjete të tilla nga qytetarët e thjeshtë, prandaj edhe nuk e di situatën, prandaj edhe gjithë këto të zeza, krime, vrasje, bomba dhe shpërthime që ndodhin në Kosovë, mbeten të pazbuluara pikërisht për këtë punë, sepse kjo polici është lart kurse realiteti është poshtë. Prandaj ky është defekti më i madh që pengon. Pra, duke pasur parasysh këto rrethana në të cilat punojnë këta që janë të kyçur në këtë mekanizëm të këtij pushteti formal, është arritur shumë. Nuk është e vërtetë që serbët nuk kanë mundësi të lëvizin. Serbët kanë mundësi të lëvizin gati në të gjitha qytetet… Një ditë më parë u lëshua edhe tregu në Gjilan. Në Prizren serbët lëvizin lirisht, në Mitrovicë lëvizin lirisht, në Prishtinë lëvizin lirisht, të mos flasim për Graçanicë dhe vende të tjera. Kështu që është një teatër i dirigjuar nga Beogradi, që i mëson serbët të ankohen e të qahen e të thonë se ja ne nuk kemi mundësi të lëvizim, por e vërteta qëndron krejt ndryshe. Prandaj po them që ky është ai standardi, më i vështiri që thuhet, kurse të tjerat janë në nivel të mirë, në nivel të këndshëm dhe në nivel të kënaqshëm. Kështu që nuk mund të thirret dikush në mungesën e plotësimit të standardeve, për të penguar që shqiptarët ta krijojnë shtetin e tyre, të jenë plotësisht të lirë, plotësisht të pavarur, ashtu siç e meritojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë kanë thënë se nëse vlerësimi i arritjes së standardeve është pozitiv, atëherë do të hapet çështja e statusit përfundimtar të Kosovës. Më tutje, nënsekretari amerikan i Shtetit, Nicholas Burns, ka thënë se viti 2005 do të jetë vit i vendimtar për Kosovën. Si i vlerësoni ju këto qëndrime lidhur me hapjen e çështjes së statusit përfundimtar të Kosovës?

ADEM DEMAÇI
Ka njëfarë disonance mes politikës së shteteve evropiane dhe asaj të SHBA-ve. Si duket amerikanët e nuhasin punën pak më mirë. Si duket amerikanët kanë më shumë informata nga terreni dhe e kuptojnë se populli e ka humbur durimin. Situata në të cilën gjendet Kosova me 60-70% të papunë, me një varfëri të skajshme, me një pakënaqësi të skajshme, me qindra njerëz të burgosur se gjoja kanë bërë krim kur kanë protestuar në ngjarjet e 17-18 marsit, të gjitha këto e kanë mllefosur këtë popull. Me fjalë të tjera, është mbushur kupa dhe amerikanët duket se e kanë kuptuar këtë punë, prandaj edhe bëjnë përpjekje që ta shpejtojnë procesin, derisa evropianët nuk kanë shumë vesh dhe nuk kanë shumë qasje në ngjarjet e vërteta që kanë ndodhur brenda këtij populli, prandaj edhe shkojnë shumë ngadalë. Ata i kanë menduar këto standarde, ata do të jenë përsëri personat që do të thonë u bënë apo s'u bënë ato. Domethënë një punë krejtësisht jodemokratike. Nuk është e drejtë që Kosovës, si territor ende i papërcaktuar, si territor i një populli të sakatosur, të vrarë, të shkelur, të djegur e të pjekur, të cilit i mohohet e drejta për vetëvendosje, t'i vendosen edhe kushte të tjera, të pengohet në synimin e tij që të jetë i lirë. Pra është një sjellje krejtësisht jodemokratike nga shtetet, për të cilat ne kemi menduar dhe kemi pritur që faktikisht do ta sjellin këtu demokracinë, do të na mësojnë si bëhet demokracia, do ta edukojnë këtë popull me parime të vërteta demokratike, kurse sjelljet dalin krejt ndryshe. Prandaj unë mendoj se këtu ka një disonancë. Por amerikanët duhet ta bëjnë edhe një hap më tutje, të tregojnë një vendosmëri më të madhe, nëse me të vërtetë dëshirojnë që në këto hapësira të mos na ndodhin gjakderdhje të reja, sepse administrata, ata që janë në pushtet në Beograd, ata janë trimëruar nga hezitimet e shumta të Evropës dhe të një pjese të amerikanëve, prandaj ata sillen sikur janë zot këtu, prandaj ata sillen sikur ne e kemi sulmuar Serbinë, ata sillen sikur ne kemi bërë krime në territorin e Serbisë, dhe jo si një popull, i cili është mbrojtur nga zullumi i tyre, nga të këqijat e tyre, nga vrasjet e tyre të cilat i kanë bërë. Ata mundohen t'i harrojnë këto dhe të sillen këtu si zotë të shtëpisë. Amerikanët e shohin se ç'po ndodh në Serbi. Ata e shohin se si bëhen tubime të palejueshme, nëpër vende të ndryshme hapur, për të arsyetuar gjakderdhjen dhe gjenocidin që është zhvilluar gjithandej në ish-Jugosllavi sidomos në Srebrenicë, Kosovë dhe vende të tjera. Amerikanët po i shohin këto sende, prandaj edhe po e shpejtojnë procesin. Mirëpo, ne prej tyre presim që ata të jenë më të vendosur dhe të mos lejojnë që të përsëritet edhe njëherë një robëri e re e Kosovës, sepse atëhere kjo do të ishte përgatitje e një gjakderdhjeje të re me përmasa të paparashikueshme.

Intervistoi: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG