Ndërlidhjet

REXHEPI: KRIMINALITETI EKONOMIK NË KOSOVË LUFTOHET VETËM DEKLARATIVISHT


Ibrahim Rexhepi, analist për çështje ekonomike

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, sa konsideroni se në Kosovë është luftuar apo po luftohet krimi ekonomik, i cili vazhdimisht gjendet në prioritetet e para të institucioneve të Kosovës, por edhe atyre ndërkombëtare?

IBRAHIM REXHEPI
Në formë deklarative ka luftë dhe ka përpjekje për t'iu kundërvënë kriminalitetit ekonomik, por në fakt ajo nuk vërehet, nuk hetohet, nuk preket. E ndoshta problemi censurë është aty, sepse mungon mekanizmi qoftë vendor, qoftë ndërkombëtar, i cili me këmbëngulje dhe me kompetenca të plota i kundërvihet kriminalitetit ekonomik.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë gjatë këtyre viteve të fundit megjithatë janë hapur shumë procese, qoftë ndaj personave, apo kompanive të ndryshme. Si rrjedhojë, sa vlerësoni se këto procese kanë arritur të marrin përgjigjen adekuate nga organet kompetente?

IBRAHIM REXHEPI
Realisht të flasim që nga viti 1999 e deri tani, së paku dihet se një proces gjyqësor ka përfunduar dhe ka vendimin përfundimtar rreth keqpërdorimeve në ekonomi. Është fjala për zotin Joe Truschler, i cili është gjykuar në Gjermani, ku realisht vlerësoj se shteti ligjor është shumë më funksional, shumë më efikas, e që ka të bëjë për keqpërdorimet në Kosovë, gjatë kohës ku ai ka qenë manaxher në divizionin e Energjetikës, përkatësisht në KEK. Mirëpo në Kosovë unë nuk di rast tjetër, për të cilin mund të thuhet se ka filluar një proces dhe ka shkuar deri në fund e janë zbardhur të gjitha problemet. Ka patur shumë emra, shumë kompani të përfolura, se ka keqpërdorime, ka kriminalitet, por në fakt gjithshka mbetet e mjegullt, gjithshka mbetet e pazbardhur, qoftë nga mekanizmat e hetuesisë, apo edhe prej proceseve të zakonshme gjyqësore.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, ju përmendët mekanizmat adekuatë, ndërkohë që vendorët vazhdimisht ankohen edhe për mungesë kompetencash. Sa mendoni se këto dy komponente mund të ndihmojnë në shtimin e efikasitetit kur flitet për luftimin e krimit ekonomik?

IBRAHIM REXHEPI
Në fakt mund të thuhet që është edhe mungesa e kompetencave, mungesa e një mekanizmi ligjor, e një mekanizmi institucional, i cili do të ishte shumë më agresiv në këtë problem, në këtë çështje. Por problemi më i madh qëndron tek vetë njeriu, qoftë tek qytetari, qoftë tek manaxheri në ndërmarrje, ose tek lideri politik. Ata duhet të jenë të bindur së pari që shteti nuk ndërtohet me kriminalitet ekonomik, nuk ndërtohet me mafjozllëqe, e atëhere është lufta shumë më e lehtë. Problemi është duke u avancuar, duke u ngritur. Nuk kemi shumë pse të flasim keqpërdorimet në administratën lokale, për keqpërdorimet e një sportelisti, apo një punëtori supozojmë në mjeksi apo diku tjetër. Shqetësuese është se krimi po ngrihet gjithnjë e më lart në hierarkinë, piramidën e pushtetit qoftë politik, ashtu dhe pushtetit ekonomik.

Intervistoi Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG