Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

NË KOSOVË KA RËNIE TË DHUNËS NDËRETNIKE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Dhuna ndëretnike në Kosovë jo vetëm ka shënuar rënie, por muajve të fundit mund të thuhet se është eliminuar, thonë zyrtarë të UNMIK-ut, policisë së Kosovës dhe ata të Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut. Ndërsa në Këshillin e Sigurimit më 27 maj do të bëhet dhe një vlerësim për sa i përket përmbushjes së standardeve, duke vënë theks të veçantë në pozitën e pakicave në Kosovë, zyrtarë nga administrata ndërkombëtare dhe ata të policisë së Kosovës, vlerësojnë se ngjarjet e marsit të vitit të kaluar ishin kaptina e fundit e dhunës ndaj pakicave dhe se pas kësaj periudhe sipas tyre, në Kosovë nuk ka pasur incidente të rënda ndëretnike. Sipas zëdhënësit të UNMIK-ut, Neeraj Sing, gjendja e përgjithshme e sigurisë është përmirësuar dukshëm, pra edhe për sa i përket pakicave, apo thënë më konkretisht pakicës serbe:
“Nëse shikohen përqindjet dhe nxirren statistika se sa është numri i serbëve që janë viktimë e krimit, del se ata janë viktimë në rreth 10 për qind të rasteve”, tha Neeraj Sing, sipas të cilit, kjo tregon se nuk ka dhunë të përqëndruar ndaj serbëve në Kosovë, pasi që edhe numri i këtij komuniteti llogaritet diku në 10 për qind të totalit të popullatës së Kosovës.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Refki Morina, thotë se duke u bazuar në shënimet dhe evidencat aktuale të policisë, muajve të fundit nuk janë shënuar krime apo eksese ndëretnike:
“Kohëve të fundit sidomos në këta katër muajt e fundit, por edhe dy muajt e fundit të vitit 2004, nuk kemi pasur ndonjë ekses mbi baza nacionale çka është një e mirë, një sukses i tërësishëm dhe shihet se të gjitha nacionalitetet në Kosovë veprojnë konform ligjeve pozitive që janë në fuqi në Kosovë, Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale”, tha Morina.
Ndërkohë, Ibrahim Makolli, zyrtar nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut me seli në Prishtinë, thotë se ky Këshill, gjithashtu nuk ka shënuar raste që ndërlidhen me dhunën ndëretnike:
“Deri më tash pothuajse në një formë ose tjetrën, dhuna ndëretnike në Kosovë është eliminuar, ndërkaq në format tjera vazhdon të jetë po e njëjta shkallë e krimeve të ndryshme, të cilat në asnjë formë nuk kanë natyre ndëretnike”, tha zoti Makolli, sipas të cilit pas ngjarjeve të dhunshme të marsit të vitit të kaluar, tani mund të konstatohet se në Kosovë ka përparime të dukshme dhe sa i përket lirisë së lëvizjes për pakicat:
“Pozita e pakicave në Kosovë ka shënuar përmirësime të dukshme dhe përfundimisht në këtë periudhe kemi një liri të lëvizjes më të theksuar në të gjitha viset e Kosovës, duke mos marrë për bazë këtu pjesën veriore të Kosovës dhe në të gjitha këto pjesë të tjera të Kosovës, pakicat etnike sot kanë një qarkullim të lirshëm”, pohoi Makolli.
Duke u ndërlidhur me përmirësimin e pozitës së pakicave, apo më konkretisht me pozitën e pakicës serbe, zëdhënësi i administratës ndërkombëtare, Neeraj Sing, thotë se këtu një rol të posaçëm mund të luajnë edhe liderët politikë nga të gjitha komunitetet:
“Është me rëndësi që edhe serbët e Kosovës t’u përgjigjen pozitivisht nismave të institucioneve dhe lidershipit të Kosovës, që të ndihmojnë në përmirësimin e lirisë së lëvizjes”, tha Sing. Ai këtu mori si shembull mungesën e lirisë së lëvizjes për shqiptarët në pjesën veriore të Kosovës. Besimi ndërmjet komuniteteve, tha ai, mund të arrihet kur liderët e të gjitha bashkësive etnike t’i inkurajojnë njerëzit që të jetojnë së bashku.
Ndërkohë zëdhënësi i policisë Refki Morina, pohon se dhuna e marsit të kaluar ka treguar dhe kundërpërgjigjen e organeve kompetente, pasi kryerësit e veprave të ndryshme kanë marrë dhe ndëshkime për veprat e tyre:
“Sidomos në rastet e marsit e të tjera, rastet u janë dërguar gjykatave dhe gjyqet kanë shqiptuar edhe dënimet, sidomos në javët e mëparme ndaj personave që kanë kryer vepra të ndryshme penale, kurse pas marsit në tërësi nuk kemi pasur ndonjë incident që vlen të ceket ndërnacional dhe kështu situata e tërësishme ndërnacionale në Kosovë është e qetë dhe në rrjedha normale”, theksoi Morina.
Siguria dhe liria e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, bashkë me kthimin dhe procesin e decentralizimit, janë përfshirë tashmë si standarde me prioritet të veçantë të vëna Kosovës nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG