Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

FTOHJE E RE NË MARRËDHËNIET KINË-JAPONI


Robert PARSONS

Marrëdhëniet e tendosura mes Kinës dhe Japonisë kanë marrë një tjetër rrjedhë negative pasi zëvendëskryeministrja Wu Yi anulloi takimin me kryeministrin japonez Jiunichiro Koizumi dhe ndërpreu në mes vizitën në Japoni.
Pekini kështu i dënoi deklaratat e Koizumit, i cili kërkoi të vizitonte një tempull ku nderohen si kriminelët e dënuar të luftës, ashtu edhe 2.5 milionë viktima japoneze të këtyre luftërave.
Fillimisht u paramendua si sinjal për përmirësimin e marrëdhënieve pas demostratave të fundit anti-japoneze në Kinë. Por vizita e zëvendës kryeministres Wu Yi, shënoi një tjetër hap prapa. U harruan fjalimet e bukura në çastin kur gjatë vizitës së Wu Yi, kryeministri japonez Juinchiro Koizumi tha, se ai ende kishte ndërmend organizimin e përvitshëm të pelegrinazhit në vendin e shenjtë Yasukuni, të ngritur për nder të 2.5 milionë ushtarëve të rënë japonezë, shumica të vrarë në luftërat me Kinën.
Mes martirëve që nderohen atje ndodhen edhe 14 kriminelë të klasit të parë, të cilët u egzekutuan në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Deklaratat e Koizumit pa dyshim u thanë në një moment të papërshtatshëm. Zëvendëskryeministrja kineze u prek aq shumë, sa që e ndërpreu vizitën vetëm pak orë para takimit me kryeministrin e Japonisë.
Ministri i Jashtëm Nobutaka Machimura, u përpoq të zbusë situatën, por e pati të vështirë të përmbahet.
"Nuk do të shkoja aq larg sa ta konsideroja si sjellje të gabuar diplomatike, por padyshim kam përshtypjen se kjo nuk është sjellja mes dy partnerëve të besueshëm, ndoshta veprim individual", tha Machimura.
Përfundimi i menjëhershëm i vizitës, që u organizua me kërkesë të Kinës, i pasqyron marrëdhëniet e ndërlikuara mes dy vendeve. Muajin e kaluar policia kineze qëndroi mënjanë derisa demonstruesit i sulmonin bizneset japoneze dhe zyrat qeveritare në Shangaj dhe Pekin. Protestat u nxitën për shkak të teksteve të reja shkollore japoneze, ku nuk përmendeshin veprimet e trupave japoneze në Kinë në vitet 1931-1945.
Zëdhënësi i ambasadës japoneze në Pekin, Ide Keiji, shprehu keqardhjen e tij për ngjarjet e fundit politike, duke i komentuar ato si mundësi e humbur për të vendosur marrëdhënie të qeta.
"Natyrisht më vjen keq që kryeministri ynë nuk u takua me zonjën Wu Yi. Pala japoneze ishte përgatitur shumë për këtë takim dhe kolegët e mi në qeveri kishin përgatitur një propozim të ri për të shtuar këmbimin e turistëve mes dy vendeve", tha Keiji.
Bashkëpunimi në turizëm do të jetë një përparim i rëndësishëm, por natyrisht Kina kërkon më shumë. 60 vjet pas largimit të japonezëve nga Kina, armiqësia ndihet ende në ajër. Kina kërkon pendim të sinqertë nga Japonia. Ja çfarë thonë qytetarët në rrugë:
"Jam kundër vizitës së Koizumit në faltoren Yasukuni. Nëse japonezët nuk e marrin seriozisht historinë, nuk besoj te qeveria e tyre", thotë një qytetar.
Pothuajse të njëjtën gjë konfirmon edhe tjetri.
"Vizita e japonezëve në tempullin Yaukuni është shumë e gabuar. Ata nuk kuptojnë historinë. Tempulli i nderon kriminelët e luftës. Populli kinez dhe e gjithë bota janë të mërzitur nga ky fakt", thotë ky qytetar.
E ndërkohë që historia është shkaku i tensionit mes dy vendeve, është pikërisht Kina, që i ka ringjallur këto histori. Pekini tash ndihet më i fuqishëm ekonomikisht dhe kërkon t'i imponohet Japonisë. Edhe nëse Japonia kërkon falje, duket se përplasja për epërsi mes 2 gjigandëve të skenës aziatike, porsa ka filluar.
XS
SM
MD
LG