Ndërlidhjet

PËRFAQËSUESIT SERBË ME QËNDRIME TË NDRYSHME RRETH MOSKËSHILLIMIT NGA BEOGRADI PËR PLATFORMËN RRETH KOSOVËS


Albana Isufi, Prishtinë

Përfaqësuesit e Listës Serbe për Kosovën dhe Metohinë konsiderojnë se është dashur që dikush nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, madje edhe nga subjektet e tjera politike, të marrë pjesë në mbledhjen e qeverisë serbe, në të cilën u hartua platforma që do ta paraqesë delegacioni serb në Këshillin e Sigurimit.
Në anën tjetër përfaqësuesit e Këshillit Nacional Serb konsiderojnë se kur bëhet fjalë për çështjet e rëndësishme, interesat e qeverisë serbe dhe të serbëve të Kosovës janë të njëjta.
Dragisha Kërstoviq nga Lista Serbe për Kosovën, thotë se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës mund të kontibuonin në përpilimin e platformës duke ofruar edhe fakte.
"Do të duhej para së gjithash që të pyeteshin serbët e e Kosovës dhe mendimet e tyre të shqyrtoheshin në një mbledhje të qeverisë, sepse janë ata që e dinë se çka po ndodh në Kosovë, deri ku është arritur me demokratizimin, deri ku është arritur me proceset që po zhvillohen, me kthimin, sigurinë. Ata janë dëshmitarë më të sigurt që nga vendi i ngjarjes mund të flasin për të gjitha, që ndodhin në Kosovë", thotë Kërstoviq.
Njëra nga liderët e Këshillit Nacional Serb të Kosovës, Rada Trajkoviq, thekson se interesat e qeverisë serbe dhe ato të serbëve të Kosovës janë identike.
"Nuk do të ishte normale që qeveria të punojë kundër interesave të serbëve të Kosovës dhe kundër interesave legjitime të shtetit," tha Trajkoviq, duke shtuar se qeveria serbe ka konsultime të rregullta me përfaqësuesit serbë të Kosovës.
Vëzhgues të ndryshëm thonë se moskonsultimi i serbëve të Kosovës nga qeveria serbe, do të thotë se ata po defaktorizohen, apo po manipulohen, për hir të intersave politike të zyrtarëve të Beogradit. Sërisht Dragisha Kërstoviq.
"Vërtet nuk mund të përcaktoj nëse manipulohen ose jo, nëse me qëllim po anashkalohen serbët e Kosovës apo jo," thotë Kërstoviq.
Rada Trajkoviq, ndërkaq konsideron se këto janë konstrukte qëllimkëqija.
"Mendoj se këto janë tregime të pakuptimta dhe janë në funksion të asaj, që nënkupton në njëfarë mënyre tërheqjen e vëmendjes nga faktori më i rëndësishëm dhe sajimi i një tregimi të tillë," tha Trajkoviq, duke shtuar se faktor i rëndësishëm mbetet konflikti mes shtetit serb dhe shqiptarëve të Kosovës.
Ndërkohë, Dragisha Kërstoviq, pohon se deri tani asnjë përfaqësues i institucioneve ndërkombëtare që ka vizituar Kosovën, nuk i ka anashkaluar serbët e Kosovës dhe siç thotë ai, nga kjo duhet të mirrte mësim qeveria serbe.
Lista Serbe Për Kosovën nuk ka pranuar të hyjë në institucionet e Kosovës, për shkak se deri tash nuk kishte përkrahjen e Beogradit zyrtar.



XS
SM
MD
LG