Ndërlidhjet

BSPK-JA PARALAJMËRON GREVË TË PËRGJITHSHME


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, më 9 qershor organizon një grevë të përgjithshme në të gjitha ndërmarrjet publike dhe civile në mbarë Kosovën. Bahri Shabani, kryetar i Bashkimit të Sindikatave, tha se vendimi për organizimin e grevës pason vendimin e Qeverisë së Kosovës që të mundësojë zbatimin e pjesërishëm të Kontratës Kolektive, nën arsyetimin se ka mungesë të mjeteve financiare për një gjë të tillë. Në një takim me gazetarët, zoti Shabani tha se greva njëditore është vetëm një paralajmërim për hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrë sindikata, për shkak të vonesës së aplikimit të Kontratës Kolektive.
“AKM-ja dhe vetë buxheti i Kosovës ka dhënë 55 milion euro ndërmarrjes publike, KEK-ut, tani ka ndarë nga PTK-së edhe 34 milion për Aeroportin që gjithashtu është ndërmarrje publike, dhe nëse ka përafërsisht 100 milion për ndërmarrjet publike, të cilat janë profitabile dhe të cilat fitojnë para, atëherë mendoj se ka mundësi të gjejnë mjete materiale edhe për zbatimin e Kontratës Kolektive”, tha zoti Shabani.
Zoti Shabani ka tërhequr vërejtjen se shumica e punëtorëve kosovarë nuk kanë madje as kontrata pune, ndërkaq Kuvendi i Kosovës ende nuk ka arritur ta miratojë as Ligjin e Punës.
“Fatkeqësisht ne sot kemi shumë punëtorë që punojnë pa kontrata pune, me kontrata që përsëriten çdo tre muaj nga punëdhënësi, nuk kanë një mbështetje ligjore, nuk kanë një siguri për shëndetin e tyre. Kemi shumë X raste kur punëtorët janë lënduar dhe kanë pasoja të vazhdueshme, apo edhe kanë humbur jetën, siç kemi raste në KEK. Mungon madje edhe ligji i punës. Ne që pesë vite punojmë dhe funksionojmë me një udhëzim administrativ të lëshuar në vitin 2001, e parlamenti dhe Qeveria e Kosovës nuk kanë arritur të nxjerrin ligjin e punës, i cili u shërben të gjithë punëtorëve të Kosovës ”, tha zoti Shabani.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Daut Dauti, ka përsëritur qëndrimin se ky institucion nuk ka mjete të mjaftueshme për zbatimin e tërësishëm të Kontratës Kolektive, ndërkohë që është duke i shikuar mundësitë për zbatim të pjesërishëm.
‘Nuk besoi se përgjigja ka qenë edhe aq negative, nuk ka pasur marrëveshje për hapin e mëtejmë dhe nuk ka pasur mirëkuptim nga të dy palët. Mirëpo qeveria ka shprehur disa herë gadishmërinë për zbatimin e kësaj kontrate. Normalisht do të duhej të besohej se shpejti do të këtë takim dhe marrëveshje të re lidhur më këtë.” tha zoti Dauti
Nëse një marrëveshje e tillë arrihet së shpejti dhe Qeveria e Kosovës del me një zgjidhje të pranueshme për sindikatën, çështja e grevës do të mund të rishqyrtohej.
XS
SM
MD
LG