Ndërlidhjet

KRYEADMINISTRATORI PETERSEN THOTË SE FORUMI DO TË FORMOHET KËTË TË ENJTE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Forumi politik i Kosovës do të mblidhet për herë të parë të enjten më 2 qershor. Pjesëmarrja në këtë forum do të shënojë pranimin e përparimit të arritur në Kosovë dhe avancimin e këtij përparimi, ka thënë sot në Prishtinë shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Soren Jessen Petersen. Ai i ka bërë këto komente pas takimeve të ndara që zhvilloi me presidentin Ibrahim Rugova dhe kryeministrin Bajram Kosumi, gjatë të cilave, Petersen tha se i kishte njoftuar ata me takimin e fundit të Këshillit të Sigurimit dhe përgatitjeve që po bëhen në lidhje me Forumin politik. Ky mekanizëm, tha Petersen, nuk do t'i zëvendësojë institucionet e Kosovës dhe do të ketë rol këshilldhënës, duke i shërbyer arritjes së konsensusit për çështje të rëndësishme në Kosovë.
" Forumi i Kosovës është një nisëm që do t'u mundësonte të gjitha partive politike të takohen dhe të diskutojnë çështjet qënësore që kanë të bëjnë me të ardhmen e Kosovës. Kjo është një mundësi që u është ofruar partive politike dhe liderëve të tyre dhe tani mbetet tek këto parti dhe tek këta liderë që të vendosin nëse e pranojnë apo jo këtë përparim të arritur," theksoi kryeadministratori Petersen.
Në takimin e të enjtes priten që të marrin pjesë presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, nënkryetari i Lidhjes Demokratike Kolë Berisha, kurse Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të përfaqësohen në një nivel më të ulët, për arsye se drejtuesit e këtyre partive do të jenë atë ditë në një vizitë zyrtare në Slloveni. Po ashtu në nivelin më të lartë me kryetarin e saj Veton Surroin do të përfaqësohet dhe partia politike Ora. Partia Demokratike e Kosovës, e subjektit që më së shumti ka paraqitur vërejtje gjatë fazës së krijimit të këtij trupi, që ndërlidheshin kryesisht me rolin dhe përgjegjësitë e tij, tanimë ka vendosur që të marrë pjesë dhe përveç takimit të parë, në takimet e tjera aty do të përfaqësohet përmes kryetarit të saj Hashim Thaçit, ka thënë zyrtari i kësaj partie Enver Hoxhaj.
" Ne mendojmë që të gjitha rekomandimet dhe sugjerimet tona janë marrë parasysh dhe komplet debati ka rrjedhur më tepër në formë të thjeshtësuar. Ne kemi qenë dhe jemi të interesuar se gjatë përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës, e tërë udhëheqja jonë politike të reagojë si një trup i vetëm, si një aktor i vetëm politik. Kjo është një vazhdimësi e qëndrimit tonë që nga viti i kaluar", tha Enver Hoxhaj.
Ndërkaq duke i sqaruar përgjegjësitë dhe rolin e Forumit, shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen tha se ishte pajtuar plotësisht me presidentin Rugova, që ky mekanizëm në asnjë formë të mos i sfidojë institucionet egzistuese të Kosovës.
"Presidenti ka nënvizuar se ky duhet të jetë një forum këshilldhënës dhe ky trup nuk do t'i zëvendësojë institucionet për çka jam pajtuar dhe unë, dhe si i tillë ai do të përkrahet nga presidenti i Kosovës", theksoi Petersen.
Me shpalljen e këtij takimi këtë të enjte, presidenti i Kosovës dhe katër partitë më të mëdha në Kosovë, do të synojnë që të arrijnë konsensus të përbashkët për disa çështje që në Kosovë konsiderohen si madhore, ku përfshihen standardet, decentralizimi, bisedimet me Beogradin dhe sidomos platforma e palës së Prishtinës për diskutimet rreth statusit të Kosovës. Çdo vendim konsensusi që do të miratohet në këtë forum, për të qenë i plotfuqishëm, thuhet se duhet të marrë edhe miratimin e Kuvendit të Kosovës.




XS
SM
MD
LG