Ndërlidhjet

THAÇI: JANË HEQUR DILEMAT RRETH ROLIT TË FORUMIT


Albana Isufi, Prishtinë

Kryeadministratori i Kosovës Soren Jessen Petersen ka marrë sot përkrahjen për takimin e forumit politik, që pritet të mbahet nesër, edhe nga lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, derisa një ditë më parë për një gjë të tillë qe pajtuar edhe me presidentin Rugova dhe kryeministrin Kosumi.
Thaçi ka konfirmuar se Partia Demokratike do të jetë e pranishme në takim, por nuk ka saktësuar nëse ai vetë do të jetë atje.
Lideri i opozitës ka sqaruar se tashmë janë hequr dilemat rreth rolit të forumit dhe secila parti, pavarësisht rekomandimeve që i kishin dërguar më parë UNMIK-ut, sipas Thaçit tash ka hequr dorë nga interesat partiake.
“Mendoj se shumica e rekomandimeve janë marrë parasysh. Natyrisht edhe parti të tjera kanë patur rekomandime të ndryshme, kështu që është gjetur një gjuhë e përbashkët që secili të heqë dorë nga disa interesa partiake në interes të vendit, dhe këtë e ka bërë Partia Demokratike e Kosovës", tha Thaçi, i cili më parë kishte kërkuar që forumi të jetë vendimarrës dhe jo këshilldhënës, por me këtë propozim nuk ishte pajtuar UNMIK-u.
Thaçi ka thënë se forumi është i nevojshëm për të krijuar një unitet në kohën kur do të diskutohet statusi përfundimtar i Kosovës.
Ndërkohë po sot, lideri opozitar Hashim Thaçi ka udhëhequr mbledhjen konstitutive të kabinetit për Qeverisje të Mirë, kabinet të cilin ai e ka quajtur një formë alternative të qeverisë aktuale, që sipas tij do të bëjë atë që nuk po e bën qeveria Kosumi.
Thaçi ka identifikuar pavarësinë e vendit dhe bërjen e shtetit modern, si dy objektivat kryesore të Kabinetit për Qeverisje të Mirë.
“Pra janë dy synime, por synimi i dytë nuk mund të presë deri sa të jetë përmbushur synimi i parë. Pavarësia e Kosovës do të ishte akt i zbehur ,nëse nuk do të ishim në gjendje ta ndërtojmë një shoqëri, në të cilën të rinjtë do të kenë vende të sigurta pune, fëmijët do të kenë shkollim të mirë dhe ku qeveria është demokratike dhe e përgjegjshme përballë nevojave të qytetarëve të vet”.
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë se alternativat e Kabinetit të Qeverisjes së Mirë do t’i dërgohen Kuvendit të Kosovës apo forumeve të tjera për t’u bërë realitet.
Kabineti i Qeverisjes së Mirë u formua javën e kaluar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG