Ndërlidhjet

POLICIA LARGON ME DHUNË BANORËT E FSHATIT HADE


Rrahman Paçarizi, fshati Hade

Së paku tetë banorë të fshatit Hade të Obliqit, përkatësisht Kastriotit, janë arrestuar sot nga policia, për shkak se kanë rezistuar ndaj policisë që po zbatonte një urdhër të qeverisë, për largimin e banorëve të këtij fshati nga shtëpitë e tyre. Në të vërtetë, ish-kryeadministratori i Kosovës Harri Holkeri qysh më 2004 pati shpallur udhëzimin administrativ për zhvendosjen e fshatit, ndërkohë që qeveria e Kosovës vitin e kaluar e pati shpallur këtë fshat zonë të interesit të veçantë dhe njëkohësisht të rrezikshme për jetën e banorëve të Hades, për shkak të minierave të thëngjillit ngjitur me shtëpitë e fshatit. Mirëpo, meqenëse nuk qe arritur ndonjë marrëveshje ndërmjet qeverisë dhe banorëve lidhur me kushtet e largimit, qeveria muajin e kaluar ka vendosur t’i largojë me forcë banorët që kundërshtojnë largimin. 111 familje tashmë janë pajtuar të largohen, ndërsa 32 të tjera kundërshtojnë.
Përpjekja e sotme e policisë për largimin e dhunshëm të dy familjeve nga shtëpitë e tyre, ka rezultuar me përleshje ndërmjet banorëve dhe policisë, me ç’rast disa banorë janë lënduar dhe disa të tjerë janë arrestuar.
Shaip Grajçevci, një nga ata që ka pranuar të largohet, tha se qeveria nuk i ka përmbushur kërkesat e tyre për punësim, dhënie të trojeve në vende të tjera dhe për kompensimin e pronave:
"E kemi bërë atë që e ka kërkuar qeveria dhe tash e gjashtë muaj presim të hollat dhe kurrsesi nuk na i kanë dhënë. 22 familjeve u janë bërë kontratat dhe u kanë premtuar t’u japin paratë të hënën apo të martën e sot është e enjte dhe para nuk ka. Ne kemi pranuar të dalim për hatër të qeverisë shqiptare të Kosovës".
Ndërkaq, Jakup Grajçevci thotë se qeverisë nuk i intereson se ku shkojnë të zhvendosurit:
"Njeriun e kanë marrë në shtëpinë e tij, e kanë lidhur dhe e kanë dërguar në Obiliq, ku e kanë zgjidhur dhe i kanë thënë shko nga të duash".
Mirëpo, ai pranon se aktualisht banon me qira në Kastriot përkatësisht Obiliq dhe se qeveria i paguan 91 euro në muaj për kokë banori në emër të ushqimit dhe qirasë.
Policia fillimisht ka ndërhyrë në shtëpinë e Jetullah Grajçevcit, nga ku është tërhequr pas përleshjes me familjarët dhe pas arrestimit të njërit nga djemtë, Fitim Grajçevcit. Disa orë më pas, i zoti i shtëpisë kishte arritur t’i qetësonte të bijtë që ishin mbledhur në oborr dhe planifikonin të rezistonin, dhe iu përgjigj thirrjes së policisë:
"S’ka për të patur problem. Pa i dërguar në burg të gjithë djemtë ne shtëpinë nuk e lëshojmë. Unë jam i pari që pranoj të lidhem dhe të shkoj në burg. E vetmja kërkesa jona është se kur do të paguhen mjetet e kësaj pasurie nga qeveria".
Jetullah Grajçevci, pak para se ta lëshonte shtëpinë ka diskutuar me policin ndërkombëtar që udhëhiqte operacionin:
"Nuk dua t’ju arrestoj, por dua që në mënyrë të sjellshme të dilni. -Jo. M’i lidhni duart dhe drejt në burg. Po deshët hyni dhe na lidhni, por me dëshirë nuk dalim dhe dhunë nuk përdorim.- Ejani me mua."
Situata është qetësuar rreth orës 13, kur policia ka nxjerrë nga shtëpia të gjithë pjesëtarët e kësaj familjeje dhe i ka futur në furgonë policie, shumicën duarlidhur. Zëdhënësja e policisë së Kosovës, Sabrie Kamberi tha se situata ishte nën kontroll:
"Deri më tash sa i përket çështjes së sigurisë është gjithçka në rregull. Në fillim ka pasur..., ndërsa tash është gjithçka në rregull. Me sa kam informacione, tani njerëzit janë të vullnetit të mirë të dalin nga shtëpitë me dëshirën e tyre dhe t’i largojnë sendet nga shtëpitë me dëshirë".
Mirëpo, zëdhënësja e policisë Sabrie Kamberi tha se kishte edhe të arrestuar:
"Sa kam informacione janë diku gjashtë ose tetë banorë të arrestuar, për shkak se nuk i kanë përfillur urdhrat e policisë".
Mirëpo, banorët e fshatit thanë se ky nuk do të ishte fundi i përpjekjeve të tyre për të realizuar kërkesat që ata i quajnë të drejta.

XS
SM
MD
LG