Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

MITROVICË: SHPK DO TË MARRË PËRGJEGJËSITË MBI URËN E IBRIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Filluar nga data 6 qershor e këtij viti, administrata rajonale e UNMIK-ut në Mitrovicë dhe strukturat e atjeshme lokale, kanë njoftuar se do të fillojë një fazë testuese e kalimit të përgjegjësive mbi Urën e Ibrit nga KFOR-i në kompetencat e Shërbimit Policor të Kosovës. Kurse që nga 13 qershori, do të vendoset dhe komunikacioni i lëvizjes së veturave dhe qytetarëve në periudha të kufizuara kohore gjatë ditës, ka njoftuar zëdhënësi i UNMIK-ut, Georgy Kakuk:
“Ura mbi Ibër do të jetë e hapur për komunikacionin civil në të dy drejtimet dhe kjo gjatë mëngjesit që nga ora 9 deri në 10, kurse në mbrëmje nga ora 17:00 deri në 18:00”, tha zëdhënësi Kakuk.
Nëse faza testuese do të japë rezultatet e pritura, Kakuk tha se që nga 18 korriku, Ura mbi Ibër do të jetë e hapur për kalim pa ndërprerje, 24 orë në ditë.
Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Faruk Spahia, tha se ky vendim është marrë në bazë të konsultimeve të përbashkëta të strukturave vendore dhe atyre ndërkombëtare dhe është në funksion të lehtësimit të lëvizjes së lirë dhe relaksimit të marrëdhënieve ndërmjet qytetarëve të Mitrovicës në të dyja anët e qytetit:
“Ky veprim është bërë me një përgatitje të mirë dhe janë marrë para sysh të gjitha rrethanat, të cilat e karakterizojnë gjendjen në Mitrovicë dhe janë hapa të mirë, por janë dhe përgatitje që nuk do të lejojnë asnjë befasi. Në anën tjetër është shumë e udhës që të punohet shumë me qytetarët që të ketë relaksim”, theksoi Spahia.
Ndërsa administrata e UNMIK-ut dhe KFOR-i janë pajtuar t’i dorëzojnë përgjegjësitë Shërbimit Policor të Kosovës mbi këtë Urë, e cila e ndan qytetin në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe dhe atë jugore me shumicë shqiptare, përfaqësuesit politik të serbëve, mendojnë se ky është një hap i nxituar dhe jo i matur i autoriteteve. Sipas Dragisha Kërstoviqit nga Lista Serbe për Kosovën e Metohinë, situata e sigurisë në të dy pjesët e Mitrovicës nuk garanton që këto masa të ndërmarra do të jenë të suksesshme:
“Koha do të tregojë se diçka e tillë nuk do të mund të zbatohet pa pasoja, të cilat ne nuk do t’i donim”, thotë Kërstoviq, i bindur se ky vendim do të shfuqizohet menjëherë pas fazës testuese.
Mirëpo, administrata e UNMIK-ut tregon se është e vendosur që këto masa të zbatohen dhe ka caktuar dhe kriteret e kalimeve dhe kontrolleve nëpër pikat kaluese:
“Qytetarët duhet ta dinë se çdo veturë që kalon urën do të kontrollohet nga policia nëpër pikat e caktuara, si dhe do të pyeten për qëllimet e vizitave të tyre për pjesë të ndryshme të qytetit”, tha Kakuk.
Përndryshe sipas draftit të fundit të UNMIK-ut ku është bërë vlerësimi teknik i përmbushjes së standardeve, del se në pjesën veriore të Mitrovicës është arritur më së paku përparim në lirinë e qarkullimit. Duke u nisur nga ky fakt dhe nga ai se Mitrovica ka mbetur një qytet i ndarë në dy pjesë, kryetari Faruk Spahia tha se besonte që këto masa janë vetëm një nismë, që do të shpjerë një qyteti të bashkuar ku qytetarët do të jetojnë në marrëdhënie të mira në mes vete dhe do të lëvizin lirshëm.


XS
SM
MD
LG