Ndërlidhjet

BILALLI: REFERENDUMET NË FRANCË DHE HOLLANDË DO TË NDIKOJNË PROCESET EUROINTEGRUESE


Mersel Bilalli, këshilltar për çështjet e Eurointegrimeve në qeverinë e MAqedoni

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të ndryshojnë referendumet në Evropë në raportet mes Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian?

MERSEL BILALLI
Procesi si i tillë është në kuadër të asaj që konsiderohet proces, i cili si çdo proces tjetër objektivisht ka edhe pengesat e veta, ndryshe nuk mund të quhej i tillë. Edhe procesi ka amplitudat e veta etj. Nuk është hera e parë dhe as do të jetë e fundit që kemi një farë ngecjeje në zhvillimin e procesit, megjithatë procesi do të zhvillohet edhe më tutje. Me siguri që reflekset do t'i ketë jo vetëm duke përfshirë vendet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Maqedoninë, por reflekset do t'i ketë edhe në vetë kuadrin e Bashkimit Evropian. Kështu që në këtë drejtim as që mund të veçohemi për pasojat që mund t'i ndiejmë nga referendumi, nga e gjithë strukura, duke përfshirë edhe Bashkimin Evropian si tërësi.

RADIO EVROPA E LIRË
A keni ndonjë kornizë për shembull për sa kohë do të mund të shtyhen disa procese integruese që kanë të bëjnë me Maqedoninë?

MERSEL BILALLI
Objektivisht edhe pse kanë thënë se shtetet e tjera duhet të vazhdojnë me procesin e ratifikimit të kushtetutës, mendoj se është fjala për një vakuum momental në aspektin juridik dhe institucional sa i përket kësaj çështjeje. Kështu që me siguri institucionet evropiane do të përcaktojnë hapat e mëtejshëm se çfarë dueht bërë në këtë drejtim. Prej atyre hapave të cilat do t'i ndërmarrë Bashkimi Evropian, do të shihent edhe reflekset sa i përket Ballkanit dhe Maqedonisë. Është shumë e vështirë një përgjigje konkrete se sa kohë kemi kthim mbrapsh. Por realisht kemi një kthim pas dhe atë në pozicionet e së paku dy viteve më parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zëvendëskryeministrja për integrime evropiane Sheqerinska mendon se kjo mund të sjellë pasoja negative, kurse kryeministri Buçkovski tanimë ka vlerësuar të kundërtën, ashtu siç është dhe mendimi i BDI-së. Pse krerët e shtetit kanë vlerësime të ndryshme rreth kësaj?

MERSEL BILALLI
Unë mendoj se Sheqerinska ka folur në tërësi atë që pak më parë e theksova, se si refleks negativ objektivish është dhe ndihet në të gjithë Evropën, edhe në Ballkan edhe në Maqedoni. Por sa i përket Maqedonisë mendoj se nuk mund të jenë reflekset negative më të mëdhaja se ç'do t'i ndiejnë të gjitha shtetet e tjera, duke përfshirë dhe anëtarët e Bashkimit Evropian. Unë mendoj se sa i përket përgjigjes në lidhje me pyetësorin, respektivisht fitimi i statusit të shtetit kandidat për anëtarësim, nuk do të vihet në pikëpyetje.

RADIO EVROPA E LIRË
Tanimë është paralajmëruar se përgjigja e BE-së rreth pyetësorit do të publikohet në nëntor. Çfarë prisni të ndodhë?

MERSEL BILALLI
Shpresojmë me përqindje shumë të madhe se përgjigja do të jetë pozitive. Edhe pse e them se përsëri do të ketë reflekse, ndoshta në ashpërsimin e kritereve për vlerësimin e përmbushjes së kushteve të Kopenhagës si pika kryesore për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Megjithatë ndoshta mund të ketë reflekse në fazat e mëvonshme, sidomos në fillimin e bisedimeve, në vlerësimin e përmbushjes së parakushteve, e kështu me rradhë.

Intervistoi Ivan Bllazhevski
XS
SM
MD
LG