Ndërlidhjet

MONAGHAN: NË KOSOVË PO TOLEROHET KORRUPSIONI


Thomas Monaghan, shef i Departamentit të Drejtësisë në UNMIK

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Monaghan një prej problemeve që është përmendur shpesh në sistemin gjyqësor është mungesa e një mekanizmi, që do të mundësonte zbatimin e vendimeve gjyqësore. Pse shumë nga këto vendime, veçanërisht ato që i përkasin çështjeve civile nuk po zbatohen?

THOMAS MONAGHAN
Duhet të bëhen disa ndryshime në legjislacion, që do të lejonin implementimin më të lehtë të vendimeve gjyqësore. Tash kemi një sistem të ndërlikuar dhe ne po përpiqemi që ta hartojmë legjislacionin e duhur me qëllim që të mundësojmë, që sistemi të punojë më mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Rrjedhimisht , sipas vëzhguesve ky problem mund të ndikojë në paraqitjen e dëshmitarëve. Çfarë është bërë me programin për mbrojtjen e dëshmitarëve?

THOMAS MONAGHAN
Nëse flisni për rastet civile atëherë nuk ka hezitim të dëshmitarëve për të dëshmuar. Hezitim ka në rastet kriminale ku ata frikësohen se ndonjë lloj hakmarrje do të ndodhë, nëse ata dëshmojnë. Dhe ka shumë gjëra që ne mund t’i bëjmë në rastet kriminale për të mbrojtur dëshmitarët dhe gjëja më e rëndësishme është, që të njoftohen të gjithë në Kosovë se egziston sundimi i ligjit dhe se dëshmitarët do të mbrohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Një raport i Paralajmërimit të Hershëm të UNDP-së dhe Riinvestit thekson se për shkak të numri të vogël të punonjësve në gjykata, puna e tyre është e kufizuar. Do rritni numrin e gjykatësve apo gjykatave në Kosovë?

THOMAS MONAGHAN
Po aktualisht edhe ne jemi duke pritur që gjykata e Kosovës të përcaktojnë numrin e gjykatësve që na duhen .
Ndoshta nuk na duhen më shumë gjykatës, por ndoshta duhet që ata t’i caktojmë në pozitat ku ka më shumë lëndë. Kur ta bëjmë këtë vlerësim mendoj se do ta kemi zgjidhjen në një periudhë shumë të shkurtër kohore.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka korrupsion në sistemin gjyqësor të Kosovës?

THOMAS MONAGHAN
Mendoj se kjo është pyetje e vështirë për t’u përgjigjur. Nëse pyetet se a ka raste të korrupsionit, përgjigja është po. Ne aktualisht po e hetojmë një gjykatës për këtë rast dhe ka të ngjarë që edhe dy gjykatës të tjerë do të ndiqen penalisht. Të thuhet se i tërë sistemi është i korruptuar për shkak se ne po i hetojmë disa raste, nuk është korrekte dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm para se të fajësojmë tërë sistemin.
Mendoj se në përgjithësi sistemi gjyqësor në Kosovë punon shumë mirë. Unë supozoj se është më mirë të pyetet nëse segmente të shoqërisë kosovare janë të korruptuara. Mendoj se përgjigja është se pjesë e shoqërisë së Kosovës është e korruptuar dhe korrupsioni po tolerohet, por i tërë komuniteti nuk është i korruptuar. Kështu që mendoj se këtë nuk mund ta thoni as për gjykatat.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse mendoni se një pjesë e shoqërisë së Kosovës është e korruptuar?

THOMAS MONAGHAN
Po unë mendoj se standardi i sundimit të ligjit nuk është adoptuar nga secili. Ka vende të caktuara ku njerëzit merren me transaksione të dyshimta. Por, unë mendoj se kryesisht shoqëria kosovare po sillet mirë, por ka edhe shumë gjëra që duhen përmirësuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë keni ndërmarrë për ndalimin e funksionimit të gjykatave paralele në Kosovë?

THOMAS MONGHAN
Gjëja kryesore që mund të bëjmë është që ta bëjmë sistemin e UNMIK-ut, sistemin kosovar, që të punojë më mirë. Sa më mirë që të punojë, aq më e vogël do të jetë nevoja për sistemin paralel. Gjëja tjetër që duam ta bëjmë, është që ta themelojmë një sistem avokatësh gjyqësorë, i cili do të lironte gjykatat nga detyrat administrative që tani ato i bëjnë. Ne mendojmë se pak njerëz kryejnë rastet në gjykatat paralele, por disa ndjehen më rehat për të përdorur gjykatat paralele, meqë ata kanë për shembull vulat e tyre dhe çështja e pazgjidhur e statusit, po ashtu ndikon në përdorimin e gjykatave paralele.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila pra sipas jush është mënyra që të përmirësohet sistemi gjyqësor?

THOMAS MONAGHAN
Ne po vazhdojmë që të kryejmë lëndët gjyqësore duke ofruar një drejtësi me cilësi më të mirë . Sistemi i avokatëve gjyqësorë do të sjellë përfitime në këtë drejtim.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur do të barten kompetencat nga UNMIK-u te institucionet vendëse, përkatësisht kur do të themelohet Ministria e Drejtësisë?

THOMAS MONAGHAN
Nuk e di nëse mund t’ju japë ndonjë datë. Ajo që di është se duhet angazhuar për vlerësimin e standardeve këtë verë. Ky vlerësim do të çojë ose jo te bisedimet për statusin dhe bisedimet për statusin mund të çojnë ose jo tek transferimi i kompetencave.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur mendoni se kosovarët do të jenë të gatshëm që ta udhëheqin vetë sistemin e drejtësisë në Kosovë?

THOMAS MONAGHAN
Për ta udhëhequr vetë varet se si do të punojnë kosovarët. Sa e kuptojnë ata sistemin dhe sa janë të gatshëm që ata të pranojnë sistemin modern evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni sistemin e drejtësisë pas përcaktimit të statusit përfundimtar? Do të egzistojë departamenti juaj, apo do të jetë një ministri e kombinuar mes vendësve dhe ndërkombëtarëve?

THOMAS MONAGHAN
Unë dyshoj se edhe pas zgjidhjes së statusit, departamenti i drejtësisë do të egzistojë për një kohë. Ka të ngjarë që gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë mund të mbesin për një kohë dhe nëse kjo është e vërtetë, atëherë është e qartë se do të kemi departamentin e drejtësisë. Por, qëllimi është që Kosova të jetë e gatshme që vetë të drejtojë sistemin e gjyqësisë në një të ardhme të afërt.

Intervistoi Albana Isufi
XS
SM
MD
LG