Ndërlidhjet

IVES DE KERMABON: KTHIMI I USHTRISË SERBO-MALAZEZE NË KOSOVË AS QË MUND TË MENDOHET


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Komandanti i forcave paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë, gjenerali Yves de Kermabon, tha sot në Prishtinë se kthimi i ushtrisë serbo- malazeze në Kosovë as që mund të paramendohet, dhe për këtë të gjithë duhet të jenë të sigurt. Gjenerali francez, që komandon më se 17 mijë ushtarë të kombeve të ndryshme të NATO-s, i bëri këto komente sot pasdite në një konferencë për shtyp, me rastin e gjashtëvjetorit të hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë. Ai tha se përvjetori i gjashtë duhet të jetë burim krenarie për të gjithë ushtarët, si për ata që kanë shërbyer më herët, si të për ata që shërbejnë tani dhe ka përkujtuar edhe 119 ushtarë që kanë humbur jetën gjatë misionit paqëruajtës, për të rikthyer lirinë dhe besimin në të ardhmen e Kosovës, siç u shpreh Kermabon.
"Kthimi i forcave serbe në Kosovë është i pamundshëm dhe i pamundur të mendohet, pasi bashkësia ndërkombëtare ka dhënë vendime të dëshmuara për këtë," tha gjenerali Kermabon, duke shtuar se misioni i KFOR-it aty është për të mos lejuar kërcënime nga jashtë të sigurisë së Kosovës. Gjenerali Kermabon tha se edhe Grupi i Kontaktit e ka thënë qartë se nuk mund të ketë kthim në të kaluarën.
Ai ndërkohë ka vlerësuar se bazuar në numrin e vogël të incidenteve, si dhe në shënimet e përbashkëta me UNMIK-un, siguria është në rrugë të mirë. Gjithashtu vlerësoj se jemi dëshmitarë të periudhës me të qetë që nga vitit 1999, tha Kermabon.
Gjenerali Yves De Kermabon tha se Trupat e Mbrojtjes të Kosovës kanë një rol të rëndësishëm për ta luajtur në Kosovë dhe nuk ka dëshiruar të flasë për të ardhmen e TMK-së, apo mundësinë e transformimit të saj në ushtri të ardhshme të Kosovës, pasi, siç u shpreh Kermabon, kjo është çështje që ka të bëjë me statusin e Kosovës:
"Statusi i ardhshëm i TMK-së duhet të elaborohet nga UNMIK-u, komuniteti ndërkombëtar dhe aktorë të tjerë relevantë”, tha Kermabon. Sipas tij, detyra e TMK-së është që të jetë një organizatë civile për nevoja emergjente dhe ka bërë të qartë se TMK nuk ka ndonjë rol në çështje të sigurisë dhe sundimit të ligjit, sepse sipas tij siguria është një përgjegjësi për policinë e UNMIK-ut, SHPK-në dhe KFOR-in, i cili do të qëndrojë në Kosovë për aq sa do të jetë e nevojshme.
Sa i përket çështjes së qytetit të Mitrovicës që aktualisht mbahet i ndarë me veriun e mbizotëruar nga serbët dhe jugun e mbizotëruar nga shqiptarët, komandanti i KFOR-it, gjenerali Kermabon iu referua deklaratës së Grupit të Kontaktit, se nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Ai për këtë tha se të gjithë duhet ta kenë të qartë se patjetër duhet të gjendet një zgjidhje për të jetuar në një Kosovë të qetë, sepse sipas tij Mitrovica është pjesë e Kosovës.
Kermabon, tha se një ndër çështjet të rëndësishme në Kosovë tash është kthimi i të zhvendosurve, ndërkohë që bëri thirrje për më shumë punë në përmbushjen e standardeve që të mund të fillojnë bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës, me ç’rast sipas tij, në në themel të çdo marrëveshjeje duhet të përfshihet promovimi i sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.
Gjenerali Kermabon tha se përkushtimi i KFOR-it ëpr një ambient të qetë dhe të sigurt është qenësor për vlerësimin gjithëpërfshirës dhe për bisedimet që po afrohen. Të gjithë e dimë se çështja e sigurisë është një problem dhe ai çon tek kufizimet e vetimponuara të lirisë së lëvizjes:
"Prandaj ne të gjithë duam të jemi vigjilentë dhe të gatshëm për ta parandaluar çfarëdo shpërthimi të dhunës."
Aktualisht në kuadër të KFOR-it shërbejnë 17 mijë ushtarë nga 35 shtete të ndryshme, ndërsa për këto gjashtë vjet në Kosovë kanë shërbyer rreth 500 mijë ushtarë. Njësitë britanike ishin trupat e para të KFOR-it që hynë në Kosovë më 11 qershor të vitit 1999 pas 78 ditësh të bombardimeve nga ajri të forcave të NATO-s kundër forcave të Millosheviqit dhe caqeve serbe në Kosovë e Serbi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG