Ndërlidhjet

KORAÇ: BEOGRADI KA MARGJINALIZUAR SERBËT E KOSOVËS


Zharko Koraç, deputet i Kuvendit të Serbisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Koraç, Kosova po punon në përmbushjen e standardeve para bisedimeve për statusin. Si e shihni punën e institucioneve në përgjithësi, por dhe sa i përket kthimit të të zhvendosurve e minoriteteve?

ZHARKO KORAÇ
Mendoj se bashkësia ndërkombëtare me politikën standardet para statusit, ka vendosur një qëllim afatgjatë, ka treguar se ai qëllim është i pranueshëm, por së tepërmi afatgjatë.
Pastaj politika i ka ndërruar standardet dhe statusin së bashku dhe tani politika po ecën drejt asaj që standardet të arrihen pasi të përcaktohet statusi.
Në kuadër të standardeve është edhe kthimi dhe natyrisht krijimi i sigurisë për të kthyerit. Për fat të keq roli tjetër për të cilin është përgjegjës Beogradi, është mos hyrja e përfaqësuesve legjitimë të serbëve në institucionet e Kosovës. Edhe atëherë pata thënë se ky ishte gabim dhe se ka qenë gabim i Beogradit që nuk i ftoi qytetarët serbë të dalin në zgjedhje, sepse kështu u margjinalizuan. Kështu që tani është e nevojshme që së paku të gjenden dy rrugë për t’u zgjidhur ky problem. Së pari të hyjnë serbët në institucione dhe kjo është e vështirë, pasi nuk kanë dalë në zgjedhje dhe e dyta që serbëve që jetojnë Kosovë t’u mundësohet një jetë më e mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shihni në përgjithësi proceset në Kosovë, përfshirë kthimin e minoriteteve?

ZHARKO KORAÇ
Nuk di shumë për këtë pasi pasqyra që marrim në Beograd është shumë negative. Atë që e vërejmë në mediat e Beogradit, është se serbët janë shumë të pasigurt, se iu rrezikohen të drejtat njeriut. Unë për fat të keq di shumë pak dhe natyrisht informatat që marrim atje janë shumë të njëanshme. Të dhënat që marr nga bisedat me njerëz nuk janë gjithmonë të tilla, por ka edhe të dhëna të tilla. Mendimi im është se tani egziston një preokupim rreth bisedimeve për statusin dhe frikësohem se kthimi po del në planin e dytë.

RADIO EVROPA E LIRË
A brengoset Beogradi zyrtar sinqerisht për fatin e minoritetit serb, apo siç thonë disa vëzhgues ata manipulojnë serbët e Kosovës për interesa të tyre?

ZHARKO KORAÇ
Mendoj se është vështirë që të përcaktohen marrëdhëniet e Beogradit me serbët e Kosovës. Vështirë është të thuhet se janë në tërësi të manipuluar dhe se nuk ka ndonjë brengosje, dëshirë për një jetë më të mirë të tyre, pasi megjithatë, ky do të ishte një konstatim shumë i rëndë. Por në anën tjetër është e saktë se një hap i gabuar, siç ishte thirrja për mosdalje në zgjedhje, i ka margjinalizuar ata dhe Beogradi ka marrë një rol të tillë me shumë përgjegjësi para bisedimeve dhe shembulli më i mirë është se Nebojsha Çoviq në Këshillin e Sigurimit flet vazhdimisht në emër të tyre, ndërsa afër tij faktikisht nuk është dikush që do të ishte përfaqësues legjitim i serbëve të Kosovës.
Dhe kjo po tregon se Beogradi ka margjinalizuar serbët e Kosovës dhe ka marrë përgjegjësinë që të flasë në emër të tyre, dhe kam thënë se ky ka qenë hap i gabuar që nuk kanë dalë në zgjedhje dhe s’kanë hyrë në institucione.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni statusin përfundimtar të Kosovës?

ZHARKO KORAÇ
Mendoj se më së largu deri në fund të vitit do të finalizohet statusi i Kosovës, i cili nuk do të jetë më shumë se autonomi dhe më pak pavarësi, pasi këtë lloj statusi Kosova e ka pasur me kushtetutën e vitit 1974. Beogradi tani ofron atë që ka qenë më parë. Natyrisht që zgjidhja nuk do të jetë më ajo që ofron Beogradi.
Ajo që më brengos mua janë raportet në rajon, mes shqiptarëve dhe serbëve. Është një paradoks. Unë nuk po shoh ende biseda të vërteta mes elitës politike në Kosovë dhe Serbi dhe kjo në esencë është katastrofë.
Unë mendoj se tani është e nevojshme që të ripërtërihen raportet, sepse ato nuk janë të lidhura me statusin përfundimtar. Ndryshe mendoj se deri te zgjidhja e statusit mund të ketë një luftë të ftohtë mes Kosovës e Serbisë dhe kësaj i frikësohem.
Mendoj se paradoksi do të jetë kur pas zgjidhjes së statusit përfundimtar, që do të jetë një lloj pavarësie, do të rritet më shumë urrejtja dhe do të krijohen kufij të pakalueshme në Evropë. Kjo do të ishte katastrofë për rajonin.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të ndërtohet besimi me njeri-tjetrin?

ZHARKO KORAÇ
Kështu hap pas hapi, siç kemi ardhur deri këtu dhe jemi ulur dhe kemi biseduar. Për dikë në Serbi, të vish në Hotel Grand në Prishtinë është e pazakonshme, sepse nga raportet që marrim, del se serbët janë të rrezikuar nëse ecin në Prishtinë, se të gjithë vizitorët janë të rrezikuar dhe kështu thuhet në media atje. Duhet pranuar fakti se ne këtu ulemi dhe bisedojmë dhe kjo tregon se jo vetëm që mund të flasim, por njerëzit munden edhe të lëvizin. Natyrisht, për mua do të ishte e pazakonshme nëse përfaqësuesit politikë të Kosovës vijnë në Beograd, sepse siç e dini për shumë prej tyre, thuhet se ata janë kriminelë, edhe pse ata janë të zgjedhurit legjitim. Në këtë drejtim duhen bërë shumë hapa. Mua nganjëherë më vjen turp, si pjesëtar i popullit serb, se si ne, si shqiptarët e serbët, nuk mund t’i zgjidhim problemet mes vete, po gjithmonë duhet dikush i tretë t’i zgjidhë ato. Mund të them se edhe njëra palë, edhe tjetra, dukemi keq në sytë e botës dhe në këtë kuptim jemi në pozicion të barabartë. Nuk tregojmë pjekuri politike, sado të mëdha që janë problemet, që të ulemi dhe të bëjmë diçka, që më vonë do të cilësohej si pajtim historik. Kjo është e domosdoshme për popullin shqiptar dhe atë serb dhe gënjejnë ata që thonë se në histori, shqiptarët dhe serbët kanë qenë gjithmonë armiq. Unë mendoj se ata shpesh kanë pasur probleme të njëjta, por edhe ky është një stereotip që duhet të prishet.

Intervistoi: Albana Isufi

XS
SM
MD
LG