Ndërlidhjet

KAI EIDE IDENTIFIKON ÇËSHTJET KRYESORE KU DO TË MBËSHTETET NË RAPORTIN E TIJ


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Është me rëndësi që kur të kthehem në fillim të korrikut, të shoh në terren përparime të dukshme dhe që mund të maten, ka deklaruar sot i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Anan, ambasadori Kai Eide. Ai i ka bërë këto deklarata, në përfundim të qëndrimit të tij treditësh në Kosovë, pas takimeve që ka pasur me drejtues ndërkombëtarë e vendorë të Kosovës dhe me liderë partiakë dhe të komuniteteve:
"Duhet të them se këto tre ditë ishin të dobishme, na krijuan një përshtypje të parë të mirë dhe bazë të mirë për të vazhduar kur të kthehemi," tha zoti Eide, për të vlerësuar se gjatë kësaj kohe kishte arritur t’i identifikonte çështjet kryesore, në të cilat duhet të përqendrohet gjatë misionit të tij për vlerësimin e thellësishëm të standardeve dhe përparimit në aspekte të tjera politike.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, tha se zgjatja e kësaj gjendjeje më shumë se gjashtë vjet, do ta rrezikonte procesin politik në Kosovë dhe do ta njolloste edhe bashkësinë ndërkombëtare, mirëpo, tha zoti Daci, ne duhet të jemi të hapur ndaj procesit të decentralizimit dhe fillimit të pilot projekteve:
"Duhet të fillojë procesi i decentralizimi dhe askush më nuk duhet të bëjë demagogji. Por bashkësia ndërkombëtare, të shpresojmë se do ta disiplinojë Beogradin, që të mos i pengojë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në këtë proces dhe unë jam optimist se së shpejti do të kemi një rrumbullakësim pozitiv të procesit në Kosovë".
Vetë zoti Eide, i cili ka udhëtuar për në Beograd për t’u takuar me autoritetet e atjeshme, tha se kur të kthehet në fillim të korrikut, duhet të shohë përparime:
"Është me shumë rëndësi që kur të kthehem për të dalë në terren, të gjej përparim të prekshëm, të dukshëm dhe që mund të matet, lidhur me disa çështje kritike, në mesin e të cilave edhe në decentralizim," tha ambasadori norvegjez në NATO, Kai Eide.
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Hashim Thaçi, tha se autonomia dhe autoriteti i zotit Eide jep shpresa për një raport real të kënaqshëm:
"Unë besoj se do të kemi një vlerësim real, të qartë, të kënaqshëm, një vlerësim teknik dhe të situatës politike, që do të hapë perspektivën për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës".
Ndërkaq, Veton Surroi, kryetar i partisë ORA, tha se analiza dhe raporti i zotit Eide duhet të merret jo vetëm me nevojën e pashmangshme të Kosovës për t’i hyrë përcaktimit të statusit politik, por edhe për përcaktimin e parametrave reale të një shteti që duhet të dalë pas negociatave statusore.
"Kjo do të thotë se duhet të identifikohen të gjitha ato probleme që e bllokojnë Kosovën nga funksionimi i brendshëm, që nga problemi i funksionimit të institucioneve demokratike, eksitomi i strukturave paralele të sigurisë, e deri te krimi i organizuar e të tjera".
Zoti Eide ka takuar edhe përfaqësues të serbëve të Kosovës dhe të pakicave të tjera joserbe. Rangjel Nojkiq, nga Lista Serbe për Kosovën e Metohinë, pas takimit tha:
"Mendoj se zoti Eide e ka kuptuar esencën e problemit dhe na ka premtuar se raporti i tij do të jetë i mbështetur në gjendjen reale në terren," tha Nojkiq, për të shtuar se raporti i zotit Eide nuk duhet të mbështetet vetëm në gjendjen në terren, por edhe të shqyrtojë funksionimin e institucioneve vendore.
Ambasadori Kai Eide, që këtë herë ka ardhur në Kosovë për të bërë një raport, i cili do të përmbajë vlerësimin e thellësishëm të standardeve dhe çështjet kryesore politike, pritet që brenda dy muajsh të hartojë raportin i cili, në rast se do të jetë pozitiv, do të hapë rrugën për përcaktimin e statusit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG