Ndërlidhjet

UNMIK: URA MBI IBËR DO TË QËNDROJË E HAPUR, PAVARËSISHT PROTESTAVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Rreth 100 serbë edhe sot i kanë vazhduar për të tetën ditë me radhë protestat e tyre në veri të Mitrovicës, në shenjë pakënaqësie me vendimin për hapjen e Urës mbi Ibër për qarkullimin e komunikacionit. Ndërkohë që sot, autoritetet e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe ato lokale në Mitrovicë, kanë vendosur që orari i hapjes së Urës për qarkullim, të zgjerohet nga një orë në dy orë në mëngjes dhe po aq në mbrëmje. Pas incidentit të djeshëm kur grupe serbësh dhe shqiptarësh u përleshën mes vete, sot protesta ka kaluar e qetë dhe pa incidente, mirëpo asnjë veturë nuk ka kaluar Urën. Zëdhënësi rajonal i UNMIK-ut, Georgy Kakuk, tha se Ura do të vazhdojë të mbetet e hapur çdo ditë në orar të caktuar:
“Gjendja është e qetë. Kishte protesta, mirëpo ne nuk mund të ndalojmë të drejtën legjitime të njerëzve për të protestuar, përderisa gjithçka kalon qetë”, tha Kakuk, duke shtuar se është e drejtë e njerëzve që të protestojnë në lidhje me çfarëdo vendim.
Në anën tjetër, Milan Jovanoviq, kryetar i Këshillit Nacional Serb për veriun e Mitrovicës, thotë se protestat do të vazhdojnë të organizohen çdo ditë. Ai thotë se hapja për qarkullimin e komunikacionit mbi Urën që lidh jugun dhe veriun e qytetit, paraqet rrezik për serbët:
“Gjatë orëve të paraditës mbahen fjalime të shkurta të qytetarëve në protesta, kurse gjatë orëve të mbrëmjes organizohen ngjarje kulturore, arsimore dhe ngjarje muzikore”, që është pjesë e protestave tona të përditshme, thotë Ivanoviq, duke përjashtuar çdo mundësi të ndërprerjes së protestave, të cilat mbahen afër Urës mbi Ibër në veri të qytetit, me kërkesën e vetme që Ura të mbyllet për qarkullimin e automjeteve.
Ndërkohë, administrata ndërkombëtare ka në plan që pas fazës testuese, pas një muaji Ura të jetë e hapur 24 orë në ditë:
“Nuk mund të them se çfarë do të ndodhë deri më 18 korrik. Por ne çdo ditë e monitorojmë gjendjen”, tha Kakuk, duke besuar se 18 korriku ashtu siç është paralajmëruar, do të jetë data kur qarkullimi do të lejohet 24 orë në ditë.
Pas protestave të djeshme, zëdhënësi rajonal i Shërbimit Policor të Kosovës, Sami Mehmeti, ka njoftuar se nga katër personat e arrestuar, njëri prej tyre mbahet ende në paraburgim, nën dyshimin se ka penguar personalin zyrtar në kryerjen e detyrës.


XS
SM
MD
LG