Ndërlidhjet

STRASBURG


Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar një rezolutë me anë të së cilës kërkohet angazhim i të gjitha palëve të involvuara për gjetjen e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës.
Në rezolutën e miratuar, mes tjerash, konkludohet se është arritur përparim në sigurinë e pakicave, por tërhiqet vërejtja se qarkullimi i lirë paraqet problem, si për shqiptarët ashtu edhe për serbët.
Aspektit ekonomik i kushtohet një kapitull i veçantë, ku konkludohet se është e qartë se statusi i pazgjidhur i Kosovës është pengesë për rimëkëmbjen e saj ekonomike.
Për Kosovën dhe statusin e saj përfundimtar, në Strazbur foli edhe Kryeministri i Bosnjës e Hercegovinës, Adnan Terziq, i cili konsideron se pavarësia e Kosovës nuk do ta rrezikonte vendin e tij.
"Vazhdimisht shtrohet pyetja nëse për Bosnjë Hercegovinën është i rrezikshëm vendimi që Kosovës t'i jepet pavarësia. Unë jam absolutisht i bindur se nuk ka rrezik", tha Terziq, duke shtuar se ky është mendim i tij personal sepse, siç tha ai, politika e jashtme udhëhiqet nga Presidenca e Bosnjës e Hercegovinës.
Sipas Terziqit më e rrezikshmja do të ishte njohja e pavarësisë pa plotësimin paraprak të standardeve, para së gjithash atyre që kanë të bëjnë me të drejtat themelore të njeriut, sepse të njëjtat janë kërkuar me vite të tëra edhe nga Bosnja e Hercegovina.
XS
SM
MD
LG