Ndërlidhjet

BRUKSEL


Përfaqësues nga 80 vende të botës konfirmuan ndihmën botërore për Irakun, dhe mbështetjen për demokratizimin e tij, në konferencën e sotme ndërkombëtare që u mbajt në Bruksel.
Ministri i Jashtëm irakian, Hoshyar Zebari, përshëndeti rezultatet e konferencës, dhe tha se muajt e ardhshëm do të jenë shumë të rëndësishëm për Irakun.
"Muajt që vijnë janë shumë të rëndësishëm, por edhe kritik. Kemi nevojë për vëmendjen dhe mbështetjen tuaj, dhe jemi të sigurt se do të kemi sukses. Bota është me ne dhe ne jemi të vendosur të ecim përpara", tha Zebari.
Deklarata përfundimtare e konferencës mbështeti "përpjekjet e qeverisë për një Irak demokratik, federal dhe të bashkuar".
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, pohoi se irakianët kanë mbështetje botërore në përpjekjet e tyre për ta rindërtuar vendin.
"Qeveria e zgjedhur irakiane do të kërkojë mbështetjen e nevojshme që t'i realizojë pritjet e popullit të vet. Tani është koha për ta kanalizuar përkrahjen përmes mekanizmave efektivë, në mënyrë që Iraku të përfitojë drejtpërdrejt", tha Annan.
Ndërkaq, sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, e cilësoi konferencën si një rast të mirë që komuniteti ndërkombëtar t'i dëgjonte nevojat e irakianëve.
"Terrorizmi mund të mposhtet në Irak. Mposhtja e tij në zemër të Lindjes së Mesme, do të jetë vdekje e terrorizmit në botë", tha Rice.
Mbështetjen e plotë për Irakun e konfirmoi edhe ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, vendi i të cilit aktualisht e kryeson Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG