Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

KOSUMI DHE PETERSEN DISKUTOJNË STANDARDIN E KTHIMIT


Albana Isufi, Prishtinë

Prioritet parësor, nga i cili do të shihet edhe përparimi në përmbushjen e standardeve, është vlerësuar sot kthimi i të zhvendosurve serbë nga shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen.
Pas takimit me kryeministrin e Kosovës Bajram Kosumi, Jessen Petersen ka thënë se deri tani ka pasur zhvillime inkurajuese në kthimin e të zhvendosurve, edhe pse numri i të kthyerve vazhdon të mbetet i vogël.
“Numri është ende i vogël dhe unë e kam thënë më herët se nuk po shohim numër të madh të të kthyerve, sepse ndoshta njerëzit janë duke pritur se çfarë do të ndodhë në të ardhmen me statusin. Por ka zhvillime inkurajuese, ka më shumë individë dhe familje që po kthehen, ata po kthehen në qytete si në Klinë, Istog, e ndoshta do të ketë të kthyer edhe në Prishtinë,” tha Jessen Petersen, duke shprehur gadishmërinë e misionit të Kombeve të Bashkuara për të përkrahur qeverinë në projektet për kthimin.
Kryeministri Bajram Kosumi vlerëson se kthimi është standardi, të cilin qeveria po përmbush me vështirësi.
“Kthimi i refugjatëve serbë është një nga vështirësitë në plotësimin e standardeve. Sot u bisedua për këtë çështje dhe shqyrtuam mundësitë dhe modalitetet, që po zhvillohen në këtë drejtim. Janë dhjetëra projekte që po ecin, por ne po shikojmë mundësitë që t’i zgjerojmë më shumë dhe të kemi më shumë refugjatë që do të kthehen në Kosovë”.
Jessen Petersen ka thënë se kthimin do ta inkurajonte ofrimi i përkrahjes nga institucionet, por edhe zgjidhja e problemeve pronësore.
Kthimi është ndër standardet prioritare, që institucionet e Kosovës duhet të përmbushin. Qeveria e Kosovës dhe organizata neutrale ndërkombëtare vlerësojnë se janë rreth 70 mijë të zhvendosur në Serbi e Mal të Zi, ndërkohë që autoritetet serbe flasin për rreth 200 mijë të zhvendosur.
Deri tani në Kosovë janë kthyer rreth 12 mijë të zhvendosur, ndërkohë që aktualisht pengesat kryesore për kthimin janë kushtet ekonomike. Qeveria nuk ka mundësi, që të krijoje vende te reja pune, as për shumicën shqiptare dhe as për të kthyerit.

XS
SM
MD
LG