Ndërlidhjet

VIKTIMAT E TORTURËS NUK DUHEN LËNË VETËM


Në Prishtinë shënohetDita Ndërkombëtare në mbështetje të viktimave të torturës

Shumë çështje në Kosovë nuk mund të zgjidhen tërësisht pa zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, ka thënë sot zëvendësshefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Larry Rossin, në ditën ndërkombëtare në mbështetje të viktimave të torturës. Këto komente zoti Rossin i ka bërë në shënimin e kësaj dite nga Qendra për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës me seli në Prishtinë, ku merrnin pjesë edhe shefi i OSBE-së, Verner Vnendt dhe zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë.
"Është me rëndësi për Kosovën që të arrijë statusin e saj përfundimtar pasi ka shumë paqartësira dhe fusha të cilat nuk mund të zgjidhen plotësisht në këtë periudhë të paqartësive ligjore që kemi", tha zëvendësshefi i UNMIK-ut Larry Rossin. Ai i bëri këto komente duke iu referuar mundësive që ofron shoqëria për rehabilitimin e viktimave të torturës dhe atyre që kanë përjetuar.
"Statistikat e treguara në këtë shënim, tregojnë për krimet dhe tragjeditë që kanë ndodhur në Kosovë, sidomos gjatë luftës", tha zoti Larry Rossin, për të shtuar se gjatë viteve '98 dhe '99 ka qenë shoqëria që ka vuajtur, por edhe individët dhe kjo është një përvojë njerëzore që mund ta shërojë vetëm dora njerëzore, tha Rossin.
Ndërkaq, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë Verner Vnendt tha se historia dhe ato që kanë ndodhur nuk duhet të harrohen, por duhen shëruar.
"Kur përfundojnë konfliktet ne duhet të përgatitemi për të shkuar kah e ardhmja. Është e nevojshme të përqendrohemi nga e ardhmja dhe të mos lejojmë që viktimat të harrohen dhe të lihen vetë", tha shefi i OSBE-së, Verner Vnendt.
Qendra për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, në të cilën punojnë ekspertë të psikologjisë dhe mjekë të tjerë është themeluar në tetor të vitit 1999, tha Feride Rushiti, drejtoreshë e qendrës.
"Deri më tash mund të them se janë mbi 10 000 njerëz që kanë kërkuar trajtim dhe numri i tyre po rritet, mirëpo kërkesat e stafit dhe kapacitetet që kemi këtu janë ende të limituara për të ofruar shërbimet që na kërkohen", tha Rushiti.
Duke kërkuar më shumë mbështetje nga organizatat ndërkombëtare dhe duke kërkuar nga zoti Rossin të përdorë influencën e tij për të ndihmuar, Adem Demaçi, kryetar i bordit të Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, tha:
"Kjo është 10 mijë në letër, mirëpo janë edhe shumëfish më tepër që janë goditur në mënyrë indirekte nga këta njerëz që kanë kaluar nëpër këto tortura. Kemi kohët e fundit edhe dukurinë e vetëvrasjes që ka qenë e panjohur deri më tash për hapësirën tonë dhe që na bën që të mendojmë më seriozisht që të veprojmë në mënyrë preventive"
Sidoqoftë, zonja Feride Rushiti tha se duke u nisur nga fakti se trauma ka qenë e përgjithshme në Kosovë edhe ballafaqimi i viktimave të torturës me shoqërinë nuk ka qenë dhe nuk është shumë i theksuar, por prapaseprapë shoqëria nuk është në gjendje t’i përkrahë këto viktima, pasi edhe vetë ka qenë e goditur nga këto trauma.

Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG