Ndërlidhjet

1'000 TRUPA BRITANIKE PËR KOSOVËN NË PRITJE


Independent

Britania ka një plan urgjent për të dërguar një mijë trupa shtesë britanike si dhe këshilltarë në Kosovë, pasi kërcënimi i një krize të re po ndihet në këtë pjesë të Ballkanit, derisa afrohen bisedimet për statusin. Shqiptarët, të cilët përbëjnë shumicën, të mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara, kërkojnë që statusi final, bisedimet rreth të cilit do të fillojnë brenda vitit, të jetë pavarësia. Serbët që jetojnë në Kosovë, si dhe qeveria në Beograd janë kundër shkëputjes së Kosovës. Megjithatë kohët e fundit Beogradi ka ndryshuar disi pozicion duke deklaruar se Kosovës i duhet garantuar diçka "më shumë se autonomi, por më pak se pavarësi". Por presidenti Ibrahim Rugova dhe kryeministri Bajram Kosumi besojnë se vendit i kërcënohen akte dhune pasi të nisin bisedimet.
Raporti i diplomatit norvegjez Kai Eide, për trazirat e marsit të vitit të kaluar fajësoi UNMIK-un, e KFOR-in për paaftësi dhe korrupsion. Trupat gjermane të KFOR-it u akuzuan se gjatë trazirave ishin fshehur në vendqëndrimet e tyre. Pasi të nisin bisedimet për statusin final ekziston frika e organizimit të militantëve serbë në Mitrovicë dhe në verlindje të Kosovës. Shërbimet sekrete kanë të dhëna se ata mund të mbështeten nga nacionalistët serbë përtej kufirit. Sipas analistëve tjetër shqetësim është frika nga ndonjë organizim spontan mes militantëve shqiptarë në Kosovë në rast se refuzohet sërish pavarësia.
"Ne mund të përballemi me një situatë të ngjashme si ajo e vitit 1998, vetëm se kësaj radhe nuk e dimë se kush do të vihet në krye", sqarojnë analistët e shërbimeve të zbulimit. Britania ka 200 trupa dhe personel shërbimi në Kosovë dhe një mijë në Bosnjë, ku administrata ndërkombëtare drejtohet nga Lordi Ashdaun. Ministri i Mbrojtes deklaron zyrtarisht se nuk është ndërmarrë ndonjë plan urgjent për të dërguar trupa në Kosovë, por shton se "kontigjentet rishikohen vazhdimisht". Burimet në radhët e ushtrisë tregojnë se sipas të gjitha gjasave batalioni britanik në Bosnje mund të zhvendoset në Kosovë nëse lind nevoja.

XS
SM
MD
LG