Ndërlidhjet

KADARE: INTEGRIMI NË EVROPË DO T'I AFRONTE POPUJT E BALLKANIT


Intervistë me shkrimtarin e mirënjohur Ismail Kadare

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kadare, pjesa më e madhe e veprës suaj është shkruar në Shqipërinë komuniste. Parë nga ky këndvështrim, çfarë do të thotë të krijoje në Shqipërinë e asaj kohe?

ISMAIL KADARE
Në Shqipërinë komuniste si në çdo vend komunist kishte dy lloj krijimtarish. Ajo që ishte e vërteta, letërsi e vërtetë, letërsi e madhe botërore, letërsi në gjurmën e traditës më fisnike të letërsisë, dhe një pseudo-letërsi, ajo që quhej letërsi e realizmit socialist, që ishte negacion i letërsisë, ishte propagandë dhe s'quhej letërsi. Prandaj të krijoje këtë propagandë ishte shumë e dëshirueshme për shtetin komunist, por po aq e padëshirueshme dhe anormale ishte të krijoje letërsi të vërtetë. Shkurt, që të bëje letërsi të vërtetë, në një vend komunist stalinist si Shqipëria ishte një gjë anormale, e keqe, e dënueshme, e parë me sy të keq dhe shteti do të përgjonte që të kapte rastin që ta ndalonte shkrimtarin që të vazhdonte këtë gjë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shihni raportet mes popujve ballkanikë aktualisht?

ISMAIL KADARE
Popujt e Ballkanit kanë patur një periudhë kur janë marrë vesh mirë me njëri tjetrin, sepse është e kuptueshme, kanë patur një fatkeqësi globale, që t'u rrinte mbi krye; pushtimin otoman. Mirëpo kur ata dolën në liri, të pavarur, ata u bënë shumë të ashpër me njëri tjetrin, pra përjetuan një periudhë që nuk i nderon aspak. Pati shumë urrejtje, shumë zemërim njëri kundër tjetrit. Ajo që quhet patriotizëm, që është një ndjenjë e shëndetshme për një popull, duke u tepruar, duke kaluar çdo kufi të llogjikës, u shndërrua shumë herë në atë që quhet nacionalizëm, në armiqësi me popujt e tjerë. Kjo ka qenë fatkeqësi e popujve të Ballkanit. Pra kanë një traditë të keqe të marrëdhënieve midis tyre që duhet ta kapërcejnë. Ata ndodhen përpara një prove të vështirë dhe mendoj se aspirata e popujve të Ballkanit për t'u integruar për në Evropë, është një lloj orientimi, një lloj shenje që do t'i bashkojë të gjithë, mendoj unë, për t'u afruar me njëri tjetrin. Kjo, sepse procesi i integrimit në Evropë, është një proces i emancipimit të brendshëm për ata vetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të mbetesha pikërisht këtu. Lidhur me veprën tuaj, e cila ka qenë shpesh herë në qendër të debatit për shkak të përkatësisë suaj etnike, apo ndonjë sulm kundër kësaj vepre. Çfarë do të thoshit në këtë drejtim?

ISMAIL KADARE
Për fat të keq popujt e Ballkanit, kanë sulmuar shpesh njëri tjetrin për arsye etnike, për arsye kufijsh, për arsye politike. Letërsia për fat të keq është gjendur gjithnjë në mes të kësaj lufte dhe ajo ka pësuar goditje nga njëra anë ose nga ana tjetër. Për shembull, në qoftë se unë në mënyrë të natyrshme si shkrimtar kam mbrojtur lirinë e popullit të Kosovës, natyrisht unë do sulmohesha nga ajo pjesë ballkanike, që ka qenë kundër kësaj lirie. Shumë shkrimtarë të Ballkanit kanë rënë pre e pasojave, janë gjendur, si të thuash, midis një sheshi lufte, midis një zjarri të kryqëzuar. Kjo ka qenë e pashmangshme, por ky nuk është një shqetësim për shkrimtarin. Nëqoftëse shkrimtari me ndërgjegje e bën një vepër, që është e plotë, e vërtetë dhe mbron në radhë të parë artin dhe nëpërmjet artit mbron gjërat më të shtrenjta që ka bota, ai s'ka pse të shqetësohet për këtë zjarr të kryqëzuar.

Intervistoi Iliriana A. Bajo

XS
SM
MD
LG