Ndërlidhjet

NË RAPORTIN E FUNDIT TË FNH-së THUHET SE KA PROBLEME ME TË DREJTAT E NJERIUT


Antoine Blua, Radio Evropa e Lirë Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë(OSBE), ka për qëllim promovimin e demokracisë dhe dhënien e ndihmës për ndërtimin e institucioneve demokratike. Kjo organizatë vepron edhe si një instrument për parandalimin e konflikteve, për menaxhimin e krizave dhe për rehabilitimin në periudhën e paskonflikteve. Por, sipas raportit më të ri të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit për të drejtat e njeriut, duhet të bëhet edhe shumë punë për arritjen e demokracisë në shumë pjesë të rajoneve të vendeve anëtare të OSBE-së. Në pjesën për Kosovën, në këtë raport të zgjeruar, pos tjerash shkruan se zhvillimet në Kosovë, vazhdojnë kah konsolidimi i pas luftës.

Në dokumentin prej 500 faqesh të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit (FNH), me seli në Vjenë, raportohet për zhvillimet në fushën e të drejtave të njeriut në 38 vendet anëtare të OSBE-së në vitin 2004. Në këtë aspekt, drejtori ekzekutiv i Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit, Aaron Rhodes thotë:
- Është vështirë të bëhet një përgjithësim lidhur me të drejtat e njeriut në një numër të këtillë të vendeve, disa prej të cilave janë shtetet më demokratike dhe liberale në botë dhe në disa të tjera që janë ekstremisht represive. Por ajo që mund të themi është se, veçanërisht, në disa vende, nuk është bërë shumë progres në fushën e të drejtave të njeriut.
Në pjesën për Kosovën, në këtë raport të zgjeruar, pos tjerash, shkruan se zhvillimet në Kosovë, vazhdojnë kah konsolidimi i pas luftës. Institucionet demokratike janë stabilizuar mëtutje dhe kapacitetet e tyre janë forcuar dhe zgjeruar. Kjo, sipas raportit, u bë e mundur pas transferit të një pjese të madhe të kompetencave, që më parë ishin nën administratën e Kombeve të Bashkuara tek institucionet vendëse të Kosovës, me përjashtim të të ashtuquajturit "autoritet të rezervuar". Megjithatë, në raport shkruan se progresi substancial ishte dëmtuar rëndë nga zhvillimet negative, siç ishin ato në mars të vitit 2004, kur shpërtheu dhuna ndëretnike dyditëshe. Korniza Kushtetuese e Kosovës parasheh liri të plotë të lëvizjes. Në praktikë, kjo e drejtë për serbët e Kosovës është ende me kufizime. Kjo ndodhë për shkak se ende mbizotërojnë tensione ndëretnike dhe mungesa e lidhur me sigurinë ekzistuese ose të perceptuar. Çështja e personave të zhdukur në Kosovë mbetet problem serioz, shkruan mëtutje në raport. Në fund të vitit 2004, numri i këtyre personave është 3192, prej tyre 76% shqiptarë, 17% serbë dhe 7% pjesëtarë të grupeve të tjera etnike.
Sipas këtij raporti në afro 60% të rasteve, të 38 vendeve, të cilat janë përfshirë me këtë studim, është shënuar mungesë e plotësimit të standardeve ndërkombëtare në sistemet gjyqësore. Korrupsioni, mungesa e pavarësisë gjyqësore dhe përgatitja e dobët e anëtarëve të sistemit gjyqësor, në këtë raport vjetor të Fedearës Ndërkombëtare të Helsinkit, cilësohet si një shqetësim i veçantë. Në këtë aspekt, theksohet se në disa vende, ndër të cilat janë edhe Maqedonia e Serbia, kërkohen përmirësime të mëtejshme. Në këtë kuadër, për sistemin gjyqësor në Kosovë, në raport shkruan se Korniza Kushtetuese parasheh një sistem të pavarur gjyqësor në Kosovë, që mbetet nën autoritetin suprem dhe të drejtëpërdrejtë të Unmikut, si pjesë e të ashtuquajturit "autoritet i rezervuar". Megjithatë, në praktikë, sistemi gjyqësor nuk arriti të dëshmoj se është i liruar nga ndikimi i jashtëm dhe presioni.
Drejtori ekzekutiv i Federatës ndërkombëtare të Helsinkit, Aaron Rhodes thotë se në shumë vende ka pasur edhe brutalitet policor.
- Kemi gjetur se në 80% të vendeve që janë përfshirë në këtë raport vjetor, ka pasur probleme serioze me brutalititetin policor. Në disa raste janë shënuar edhe përdorime të torturës", thotë zoti Rhodes.
XS
SM
MD
LG