Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

XHAFERRI: BALLAFAQOHEMI ME VËSHTIRËSI NË REKRUTIMIN E KUADROVE SHQIPTARË PËR ADMINISTRATËN PUBLIKE


Musa Xhaferri, nënkryetar i Qeverisë së Maqedonisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Xhaferri, këto ditë është duke u zhvilluar debati parlamentar rreth ligjit për përdorimin e flamurit të bashkësive etnike në Maqedoni. Si e vlerësoni qasjet që i bëhen përmbajtjes së këtij ligji?

MUSA XHAFERRI
Ka qasje të ndryshme. Ky është një obligim kushtetues që burimin e ka tek marrëveshja politike e Ohrit. Duhet të rregullohet me ligj çështja e përdorimit të flamujve të bashkësive etnike në Maqedoni. Esenca është se duhet të sillet ligji dhe nuk qëndrojnë argumentet se flamuri shqiptar, për arsye të rregullave kritereve ndërkombëtare nuk mund të përdoret. Ka shumë shembuj dhe deputetët duhet t'i dinë këto, siç është çështja e Tirolit, çështja e austriakëve në Gjermani, hungarezët në Rumani etj etj. Nuk qëndrojnë argumentet se këtu do të përdoret një flamur i një shteti tjetër dhe do të cënojë integritetin dhe sovranitetin e Maqedonisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga marrëveshja e Ohrit, përveç ligjit për flamujt, ka mbetur pa u miratuar edhe ligji zyrtar për përdorimin e gjuhëve. Kur mund të pritet që ky ligj të vijë në rend dite për miratim në parlament?

MUSA XHAFERRI
Për ligjin për përdorimin e gjuhëve konkretisht sipas obligimit kushtetues bëhet fjalë për gjuhën të cilën e flasin mbi 20 % e qytetarëve të republikës së Maqedonisë, që është fjala për gjuhën shqipe. Sa u përket gjuhëve të tjera të komuniteteve, kjo është e rregulluar me ligjin për vetëqeverisje lokale, sipas numrit të popullatës që flasin atë gjuhë. Kurse sa i përket gjuhës shqipe fjala është që të rregullohet me ligj si do të përdoret dhe ku do të përdoret. Ky ligj dallon prej ligjeve të tjera ku kërkon të trajtohet nga shumë aspekte. Jo vetëm të përdorimit zyrtar në kuptimin klasik. Ne do ta rregullojmë edhe çështjen e përdorimit publik. Mendojmë që maksimalisht do të përpiqemi që të pregatisim variantet, të cilat do të jenë të negociueshme në kuadër të qeverisë dhe partive politike. Nga koha nuk mund ta parashikojmë, mund të jetë gushti, shtatori. Me rëndësi është që brenda këtij viti dhe deri në prag të pritjes së përgjigjes nga Komisioni Evropian duhet të mbyllet edhe kjo çështje, me qëllim që të kemi një rrumbullakësim të zbatimit të marrëveshjes së Ohrit, sa i përket pjesës normative.

RADIO EVROPA E LIRË
Si rrjedh procesi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në administratën publike?

MUSA XHAFERRI
Ballafaqohemi me shumë vështirësi. Rekrutimi i kuadrove të reja, ndjekja e procedurave ligjore të cilat janë tepër byrokratike, shpërndarja sipas nevojave në shumë institucione, i kanë vështirësitë e veta, të cilat të gjitha paguhen me faktorin kohë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të na thoni sa ka arritur numri i shqiptarëve në administratën publike dhe në institucionet e shtetit?

MUSA XHAFERRI
Shumë institucione sillen tek mesatarja 14 përqind. Ka institucione që janë më dobët, ka institucione të cilat kanë edhe numër të vogël të punësuarve në përgjithësi. Ne jemi përqëndruar tek institucionet, të cilat kanë rol qëndror, siç janë ministritë, institucionet më kryesore. Duhet të përqëndrohemi tek organet e gjyqësisë, ku dukshëm ka një përfaqësim të dobët për arsye të së kaluarës dhe është trashëguar një gjendje e vështirë. Flas për gjykatësat, gjendja është shumë e vështirë dhe duan një përgatitje të veçantë. NE mendojmë t'i qasemi këtij segmenti në mënyrë pak më të veçantë me ndihmën edhe të faktorit ndërkombëtar që të bëjmë një shkollim pak më të shpejtuar të kuadrove, të gjykatësve, faktikisht, të cilët do t'i plotësojnë kriteret që të inkuadrohen. Mirëpo kjo ka qenë njëra prej shtyllave që ka qenë tepër e konzervuar dhe tepër përjashtuese për kuadrot shqiptarë dhe kuadrot joshumicë këtu.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të ndikojnë në procesin e integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, zhvillimet e fundit në këtë organizatë ndërkombëtare, pas mosmiratimit të kushtetutës evropiane nga ana e hollandezëve dhe e francezëve?

MUSA XHAFERRI
Kjo "jo" e votuesve francezë dhe hollandezë, më së pari drejtpërdrejt ka të bëjë me kundërshtimin që u bëhet qeverive aktuale të këtyre dy shteteve. Në këto sfida aktuale që janë krijuar në Bashkimin Evropian, BE-ja nuk do të ketë kohë dhe mundësi të mjaftueshme t'i qaset Maqedonisë, mirëpo në thelb nuk besoj se kjo do të ndikojë për të ndryshuar kursin apo qëndrimin ndaj vendeve që pretendojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Intervistoi: Sefer Tahiri


XS
SM
MD
LG