Ndërlidhjet

STRUKTURAT PARALELE, PENGESË PËR PLOTËSIMIN E STANDARDIT PËR PËRFAQËSIMIN EP AKICAVE NË ADMINISTRATË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Derisa të egzistojnë strukturat paralele serbe, qeveria e Kosovës thotë se nuk mund të përmbushë përqindjen e kërkuar për punësimin e minoriteteve në institucione qëndrore. Përqindja që qeveria mëton të arrijë është 16.6 përqind e të punësuarve nga komunitetet në kuadër të institucioneve qëndrore, mirëpo kjo përqindje aktualisht është 10.2 përqind, thotë koordinatori i qeverisë së Kosovës për standardet, Avni Arifi. Ai thotë që pengesë kryesore për punësimin e minoriteteve janë strukturat e sistemit paralel serb, nëpër të cilat pjesëtarë të këtij komuniteti preferojnë më tepër të punojnë:
“Kjo përqindje, duke u nisur nga fakti se egzistojnë struktura paralele, dhe shpesh herë ka pengesa të ndryshme dhe të shumëllojshme që serbët të kyçen në institucione, është mendim i të gjithëve se nuk mund të arrihet përderisa të egzistojnë këto struktura paralele”, tha Arifi.
Në anën tjetër, shefi i komisionit parlamentar për të drejtat e komuniteteve, Ranxhel Nojkiq, thotë se nuk është i kënaqur me punësimin e komuniteteve në institucione. Ai shpreh pakënaqësinë e tij, jo vetëm për përqindjen e serbëve të punësuar në administratën publike, por edhe sa i përket përzgjedhjes së pjesëtarëve nga komuniteti serb për të punuar në institucionet e Kosovës:
“Përshtatshmëria, dëgjueshmëria dhe bashkëpunimi janë motive kryesor, nëse dikush do të donte të punonte në institucionet e përkohshme”, thotë Nojkiq, duke shtuar se kjo nuk është formë e mirë e përzgjedhjes dhe nuk do t’u sjell dobi as institucioneve.
Mirëpo në anën tjetër Avni Arifi thotë se nuk ka kritere të posaçme për punësimin e serbëve. Por, sipas tij, njerëzit e kualifikuar nga ky komunitet nuk preferojnë institucionet e sistemit legal, por ato të sistemit paralel. Gjatë këtij viti, thotë Arifi, nëpër të gjitha ministritë janë liruar 103 vende për punësimin e minoriteteve, por kryesisht kanë konkurruar vetëm persona për pozita, për të cilat nuk kërkohet kualifikim i posaçëm:
“Rezultati i kësaj ka qenë që 20 kandidatë janë lajmëruar në tërë territorin e Kosovës, nga të cilët, për shembull për një pozitë si gardë (roje) kanë konkurruar 20 persona, kurse për shumë pozita për drejtorë, juristë, e pozita të tjera të larta, nuk ka pasur fare kandidatë. Kjo është me indikatorë, se përderisa të egzistojnë strukturat paralele, ne nuk mundemi që vetëm se është serb ta punësojmë dikë”, theksoi Arifi.
Ndërkohë, Mihajlo Shqepanoviq, sekretar i përhershëm në Ministrinë për Kthim e Komunitete, thotë se ka një përparim të dukshëm për sa i përket punësimit të komuniteteve në institucione dhe pret që shifrat të rriten deri në muajin shtator:
“Unë shpresoj se deri në shtator ne do të punësojmë një numër të madh të serbëve të cilët janë të gatshëm të kthehen nëpër shtëpitë e tyre dhe duan të punojnë
në kuadër të qeverisë së Kosovës”, tha Shqepanoviq.
Kurse, koordinatori Arifi ka pohuar gjithashtu se në nivelin qëndror, komunitetet janë të punësuar në përqindjen prej 10.2 përqind, kurse në nivelin lokal, pa e llogaritur veriun e Koosvës, në administratën publike, komunitetet janë të punësuar deri në 12.6 përqind.

XS
SM
MD
LG