Ndërlidhjet

SEKRETARIATI, HAPI I PARË DREJT NJË PLATFORME TË PËRBASHKËT PËR NEGOCIATAT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Sekretariati i formuar sot, shumë lehtë mund të shndërrohet në një platformë që nevojitet për bisedimet lidhur me statusin e Kosovës, ka thënë sot shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Soren Jessen Petersen, pas mbledhjes së Forumit Politik të Kosovës, që përbëhet nga presidenti i Kosovës dhe përfaqësuesit e katër partive më të mëdha të Kosovës. Përderisa zyrtarët e Kosovës nga ana tjetër kanë shprehur gadishmërinë e tyre për të biseduar me Beogradin për shumë çështje, përveç statusit, shefi i UNMIK-ut Petersen tha se për të diskutuar statusin kërkohet një forum shumë më i gjerë:
"Qëllimi i dialogut politik, siç thotë edhe presidenti, nuk është që të diskutohet statusi, sepse kjo është një çështje që duhet të zgjidhet në një forum shumë më të gjerë – në Këshillin e Sigurimit," tha shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen.
Ndërkohë, duke folur për rezultatet e takimit të sotëm, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova tha:
"Ne u pajtuam që të kemi një sekretariat brenda Forumit, që do t’i përgatisë gjërat dhe do t’i përgatisë materialet për grupet punuese, sipas nevojës që na duhen. Natyrisht që ky sekretariat ka për qëllim të përgatitet nëse do të ketë biseda për të ardhmen, për pavarësinë e Kosovës".
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova tha se ai insiston për njohje direkte të pavarësisë, por nëse do të ketë biseda në të ardhmen, fqinjët do të marrin pjesë, pra edhe Serbia, pa të drejtë të vetos, tha ai.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi tha se është i gatshëm të takohet me homologun e tij nga Serbia:
"Jam i gatshëm të takohem dhe të bisedoj për të gjitha problemet egzistuese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të takohemi si dy kryeministra të dy vendeve, si dy partnerë të barabartë dhe të fillojmë të zgjidhim problemet. Kur e them këtë nuk kam parasysh statusin përfundimtar të Kosovës, pasi kjo çështje nuk mund të bisedohet me Beogradin".
Gjithsesi, shefi i UNMIK-ut Petersen e ka çmuar lart konsensusin e arritur sot ndërmjet presidentit dhe partive politike, për të formuar sekretariatin që do të përgatisë grupet punuese dhe platformën e negociatave për statusin. Roli i UNMIK-ut është që të tërhiqemi mbrapa dhe të nxjerrim partitë politike dhe presidentin në front për të udhëhequr këtë çështje, tha Petersen:
"Kjo do të thotë të fillohet procesi, i cili shumë lehtë mund të evoluojë në këtë lloj platforme që do të duhet për bisedimet për statusin," tha Jessen Petersen, ndërkohë që Hashim Thaçi, kryetar i partisë më të madhe opozitare, PDK-së, tha:
"Do të jetë një sekretariat që do të jetë bërthamë e parë edhe për formimin e mekanizmave të tjerë të domosdoshëm për procesin e standardeve dhe statusit".
Veton Surroi, kryetar i partisë Ora, tha se opozita, ku bën pjesë edhe partia e tij, e kishte mirëpritur propozimin e presidentit për formimin e sekretariatit:
"Kjo nuk është çështje e pushtetit dhe opozitës – këtu nuk ndahemi. Kjo është çështje ku ne përkrahim, në formë konsensuale angazhimin e tyre, posaçërisht atë që ka të bëjë me një qëndrim të përgjithshëm kosovar që me Beogradin nuk bisedojmë për status, por për shumë çështje të tjera".
Forumi politik është formuar sipas propozimit të shefit të UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen dhe është strukturuar që në të, të diskutohen çështjet me interes kombëtar për Kosovën, sidomos në prag të përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës, ndërkohë që formimi i sekretariatit është vlerësuar si hapi i parë drejt ndërtimit të platformës së përbashkët të Kosovës për këtë proces.






Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG