Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

SEJDIU: STANDARDET DO VAZHDOJNË TË PLOTËSOHEN EDHE PAS VENDOSJES SË STATUSIT


Fatmir Sejdiu, anëtar i kryesisë së Kuvendit nga LDK-ja

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sejdiu, ambasadori Kai Eide ka ardhur në Kosovë në fazën kulminante pothuajse të misionit të tij për vlerësimin e standardeve. Pra Kosova ka hyrë në një fazë të rëndësishme të vlerësimit të thellësishëm të standardeve. Cili është pozicioni aktual i Kosovës në raport me këto zhvillime?

FATMIR SEJDIU
Mendoj se ka ardhur në një moment kyç dhe tepër të rëndësishëm në Kosovë. Duke patur parasysh vlerësimet që janë dhënë më herët dhe nga Grupi i Kontaktit dhe nga debati i zhvilluar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku ka patur një raport, mendoj korrekt, të përfaqësuesist special të Sekretarit të Përgjithshëm, sikurse dhe raporti vetë i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën. Natyrisht se institucionet e Kosovës e kanë marrë për barrë ta quajmë këtë sfidë, dhe këtë më tepër e kanë konsideruar dhe e konsiderojnë në të tashmen, si një sfidë që ka të bëjë me përpjekjet për një jetë më të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës, jo si një pjesë të një pengese apo të vlerësimeve të ndryshme siç thuheshin, nga ana e ndërkombëtarëve, në mungesë të një vizioni të caktuar për Kosovën. Mbi këtë arsye, mendoj se ajo që është si përpjekje efektive e institucioneve të Kosovës, është përqëndrimi në standardet prioritare dhe kjo mendoj se ka qenë po ashtu një formulë që është pajtuar dhe nga ndërkombëtarët. Sepse po t'u qasemi standardeve në përgjithësi dhe vizionit të realizimit të tyre, mund të themi se në bazë të kompetencave që kanë institucionet e Kosovës dhe në bazë të objektivave që duhet të arrihen është mjaft e vështirë që të shkohet deri në fundin e tyre. Por standardet kuptohen në këtë fazë si proces që vazhdon edhe në periudhën kur përcaktohet statusi përfundimtar i Kosovës. Ju e dini gjithmonë se ne insistojmë që ai të jetë realizim i vullnetit politik të popullit të Kosovës për pavarësinë e saj. Mbi këtë bazë natyrisht se standardet prioritare janë shkoqitja më e mirë që i bëhet këtij projekti dhe vepritaria e tanishme e institucioneve është mbi këtë. Natyrisht këtu secili nga institucionet ka punën e vet dhe them që Kuvendi i ka përmbushur objektivat e veta në këtë legjislacion. Flas sidomos për pjesën e strukturimit të brendshëm dhe një përpjekje për demokratizim të përgjithshëm të jetës në Kosovë si dhe të jetës parlamentare. Qeveria bën punën e vet, sikurse dhe institucionet e tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë zoti Sejdiu, vlerësimi i standardeve do të jetë ndoshta faktori kryesor për të dhënë dritën e gjelbër për t'i hyrë fazës për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Sa mendoni se janë arritur këto objektiva që të jenë të matshme, për të shkuar drejt përcaktimit të statusit?

FATMIR SEJDIU
Mendoj se ka brumë mjaft që të jepet një vlerësim pozitiv, pasi kjo përputhet edhe me vlerësimet e deritashme. I kujtoj që institucionet e Kosovës nuk kanë ngecur në proces. Ato kanë hecur më tej. Unë s'them se do të përmbushen të gjitha standardet, në kuptimin e modelit që është ofruar, por do të përmbushen standardet prioritare dhe të tjerat do të jenë në lëvizje e sipër dhe mendoj se kjo qasje do të jetë qasje edhe e bashkësisë ndërkombëtare. Po ashtu edhe ambasadori Kai Eide që është në Kosovë për të vlerësuar nivelin e arritur, mendoj se do të ketë thjesht përgjigje pozitive, do të ketë argumente që ta mbrojë këtë qasje që kanë institucionet e Kosovës.

Intervistoi Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG