Ndërlidhjet

SHQIPTARËT E SERBËT ME QËNDRIME TË NDRYSHME RRETH KOSOVËS NË TAKIMIN E LUCERNËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Konferenca " Përgatitja e e Kosovës dhe e rajonit për ndryshime", mbajtur dy ditët e kaluara në Lucernë të Zvicrës, ka dëshmuar edhe një herë qëndrime të ndryshme mes Prishtinës dhe Beogradit sa i përket statusit të Kosovës. Në Prishtinë, si qasje pozitive e konferencës, përmendet gadishmëria që të vazhdohet dialogu teknik me Beogradin, ndërsa për çështjen e statusit, qeveritarët në Prishtinë mendojnë se konferenca ka shërbyer që ata t'i dinë më mirë pozicionet e të dy palëve.
Zëdhënësi i kryeministrit të Kosovës Daut Dauti, thotë se papajtueshmëria e palëve në bisedime, qofshin ato dhe joformale, është e qartë dhe kjo, sipas tij, i shërben qeverisë së Kosovës që të identifikojë qëndrimet e Beogradit dhe Prishtinës në lidhje me statusin e Kosovës. Sidoqoftë, Dauti mendon se Beogradi shpesh ndryshon qëndrimet e veta të ngurta, pas presioneve të shpeshta e të fuqishme që vijnë nga bashkësia ndërkombëtare.
"Kur egziston presioni ndërkombëtar ndaj Beogradit, atëhere shihet se pajtueshmëria është më e afërt me Kosovën. Atëhere kur ka qëndrime të buta, siç i quajnë në Beograd ndaj Prishtinës, ato janë qëndrime të arsyeshme dhe zakonisht ato pasojnë vetëm nga konferencat ndërkombëtare që janë shumë të rëndësishme dhe nga konferencat ndërkombëtare ku ushtrojnë ndikim superfuqitë."
Në anën tjetër profesori i Marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, thotë se pala serbe në këtë konferencë ka mbajtur një qëndrim diplomatik klasik, duke ditur se konferenca nuk kishte si qëllim të vetin marrjen e ndonjë vendimi për statusin e Kosovës. Prandaj, thotë Hasani, palës serbe i ka shërbyer kjo konferencë më tepër për t'i bërë një test bisedimeve në nivel politik lidhur me të ardhmen e Kosovës.
Hasani beson se planet e ndryshme të Beogradit që Kosova të ketë një autonomi të gjerë, por të mos jetë shtet, i kanë takuar të kaluarës dhe tani ato projekte nuk mund të konsiderohen më serioze dhe aktuale.
"Modalitetet i Kerringtonit që më vonë është elaburuar dhe njihet si plani Z-5 i pesë fuqive të mëdha, ka qenë dhe është që kemi kompetenca të mëdha territoriale të tipit joshtet, por që t'i mungojë sovraniteti. Kjo është diçka që Kosova e ka patur në bazë të kushtetutës së 1974 në ish-Jugosllavi. Mendoj se ajo do të kishte një kuptim për diskutim dhe do të ishte tërhequr sikur të mos kishte ndodhur lufta në Kosovë ndoshta në vitet 94-95- 97. Tani unë mendoj që është joserioze dhe nuk mendoj se përputhet me ndryshimet tektonike që janë bërë si brenda Kosovës, ashtu dhe në planin e jashtëm për sa i përket asaj se në cilin drejtim duhet të shkojë Kosova."
Konferenca në Lucernë është e organizuar nga Projekti për Marrëdhënie Etnike, dhe i mbështetur nga Departamenti Federativ i Punëve të Jashtme të qeverisë së Zvicrës. Në këtë konferencë nga Kosova kanë marë pjesë dhe kryetari i Kuvendit Nexhat Daci, lideri i opozitës Hashim Thaçi, si dhe zyrtarë nga qeveria dhe përfaqësues nga komuniteti serb.

XS
SM
MD
LG