Ndërlidhjet

OSBE VLERËSON PËRMBUSHJEN E STANDARDEVE NË ZGJEDHJE SI TË PJESSHME


Vëzhguesit ndërkombëtarë dhanë sot vlerësimin paraprak për procesin zgjedhor. Sipas OSBE-së dhe ODHIR-it standardet e plotësuara në zgjedhjet e tre korrikut në Shqipëri janë të pjesshme. Kryetari i misionit vëzhgues të ODHIR-it, Jorgen Grunet, tha se probleme janë shënuar në listat e votimit dhe dokumentet e votimit.
"Nëse do të përmendja disa prej fushave ku standardet ndërkombëtare thuajse nuk u plotësuan, kjo ka të bëjë me listat e votuesve. Gjithashtu do të vija në pah edhe procesin e identifikimit. Po ashtu ka pasur një mungesë të forcave politike dhe të autoriteteve për të krijuar kuadrin e duhur ligjor për një proces normal zgjedhor. Procesi i numërimit filloi tepër vonë dhe sot janë raportuar ndërprerje dhe bllokime të numërimit. Partitë politike duhet t’u thonë komisionerëve që partitë politike të bëjnë punën që të respektojnë procesin zgjedhor.
Presidenti i Shqipërisë Moisiu nëpërmjet zëdhënëses për shtyp u bëri thirrje partive që të mos tensionojnë situatën pasi kjo ndikon në numërimin e votave
"Në mbyllje të procesit elektoral është e papranueshme çdo përpjekje për krijimin e tensioneve apo pengesave që ndikojnë në klimën politike në vend dhe ecurinë e numërimit dhe shpalljes së rezultateve të votimit. Presidenti i kërkon KQZ-së që të ushtrojë gjithë kompetencën e tij për mbarëvajtjen e këtij proçesi", tha zëdhënësja e presidentit Moisiu.
Numërimi i votimeve vazhdon, por në disa zona për shkak të lodhjes komisionerët kanë rënë dakort që numërimi të vijojë të nesërmen.
Deri më tani rezultatet zgjedhore janë dhënë për aq vota sa janë numëruar. Sipas rezultateve paraprake në avantazh duket Partia Demokratike.

Alma Çupi
XS
SM
MD
LG