Ndërlidhjet

SLLAVISHA PETKOVIQ KËRCËNOHET ME TËRHEQJEN E DEPUTETËVE TË TIJ NGA KUVENDI


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kryetari i Partisë Demokratike Serbe të Kosovës e Metohisë, Sllavisha Petkoviq ka paralajmëruar sot se do të rishqyrtojë pjesëmarrjen e partisë së tij në Kuvendin e Kosovës, nëse zoti Petersen nuk ia merr tetë vendet e rezervuara Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, meqenëse ka kaluar afati i përcaktuar me Kornizë Kushtetuese, kur subjektet politike duhet të shfrytëzojnë vendet në parlament. Këto deklarata zoti Petkoviq, që njëherësh është edhe Ministër për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, i ka bërë në një konferencë me gazetarët sot në Prishtinë, me ç‘rast ka akuzuar Këshillin Kombëtar Serb të veriut të Kosovës për sulmin me bombë kundër zyrës së tij në Zubin Potok, të dielën në mbrëmje.
"Sipas informacioneve të mia nga burime private, pas sulmit me bombë qëndron Këshilli Nacional Serb i veriut të Kosovës, e konkretisht Marko Jakshiq," tha Sllavisha Petkoviq, për të shtuar se do të kërkonte nga policia e UNMIK-ut që ta shpallte terroriste organizatën Këshilli Nacional Serb.
Sllavisha Petkoviq tha se motivet për sulmin kundër zyrës së tij janë të lidhura me formimin e partisë së tij, që është e para parti e serbëve të Kosovës me seli në Prishtinë, që Petkoviq e ka quajtur një parti autoktone që po zgjerohet dita-ditës, sidomos në veriun e Kosovës. Një arsye tjetër për këtë sulm, sipas zotit Sllavisha Petkoviq, është deklarata e tij se serbët e Kosovës nuk duhet ta dëgjojnë askënd që nuk jeton në Kosovë, madje as Beogradin, lidhur me pjesëmarrjen në institucione.
Sa i përket pjesëmarrjes në institucione, Sllavisha Petkoviq e ka kritikuar shefin e UNMIK-ut Jessen Petersen, duke thënë se zoti Petersen po dëmton interesat e serbëve të Kosovës, duke lejuar Listën Serbe për Kosovën e Metohinë që të mbajë peng tetë vende të rezervuara për serbët në parlamentin e e Kosovës:
"Zoti Petersen po e dëmton në mënyrë direkte palën, duke mos lejuar plotësimin e tetë vendeve të rezervuara në parlament, që janë të garantuar me Kornizën Kushtetuese," tha Sllavisha Petkoviq. Ai tha se në këtë rast po ndëshkohet subjekti politik i serbëve që ka marrë pjesë në Kuvend që nga dita e parë dhe e ka kritikuar zotin Petersen, që po koketon me Beogradin lidhur me këtë çështje. Petkoviq, së këndejmi ka paralajmëruar që partia e tij do të rishqyrtojë pozicionin lidhur me pjesëmarrjen në Kuvend, nëse vazhdojnë të tolerohen Beogradi dhe Lista serbe që të mbajnë peng mandatet:
"Javën e ardhshme, nëse deri atëherë nuk rregullohet kjo çështje, unë do të kërkoj nga Këshilli Drejtues i partisë që t’i tërheqim dy deputetët tanë nga Kuvendi," tha Sllavisha Petkoviq, kryetar i Partisë Demokratike Serbe të Kosovës dhe aktualisht Ministër për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës.
Petkoviq edhe një herë ka përsëritur angazhimin e partisë së tij për inicimin dhe zhvillimin e dialogut të brendshëm ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.



XS
SM
MD
LG