Ndërlidhjet

PRISHTINA URON PD-NË PËR FITOREN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës i kanë dërguar mesazhe urimi kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për fitoren në zgjedhjet e 3 korrikut në Shqipëri. Gjithashtu edhe opozita në Prishtinë është deklaruar se i përshëndet zgjedhjet demokratike dhe respekton plotësisht vullnetin e zgjedhësve shqiptarë në zgjedhjet e fundit. Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova dhe kryeministri Bajram Kosumi, në mesazhet e tyre uruese, shprehin dhe besimin se zgjedhjet e 3 korrikut në Shqipëri janë dhe një dëshmi e forcimit të demokracisë dhe ecjes përpara drejt Bashkimit Evropian. Mesazhin e presidentit Rugova, e ka lexuar zëdhënësi i tij, Muhamet Hamiti:
"Zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë të 3 korrikut 2005, treguan vullnetin politik të qytetarëve dhe janë shenjë e mirë e konsolidimit të demokracisë në Shqipëri. Jam i bindur se marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Shqipërisë do të thellohen edhe më shumë dhe do të përshpejtohet integrimi i dy vendeve tona në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Hamiti, duke lexuar mesazhin e presidentit Rugova.
Ndërkohë, drejtori i zyrës për informim në qeverinë e Kosovës, Sylë Ukshini, thotë se në deklaratën e kryeministrit Kosumi, shprehen urimet e përzemërta për zotin Berisha. Besimi që populli i ka dhënë zotit Berisha, tregon dëshirën dhe aspiratën demokratike të popullit shqiptar që zoti Berisha dhe Partia Demokratike ta udhëheqin Shqipërinë në mandatin e ardhshëm. Me këtë rast, kryeministri Kosumi shpreh besimin e tij se këto zgjedhje do të ndikojnë drejtpërdrejt në rimëkëmbjen edhe më të madhe të institucioneve demokratike të Shqipërisë, tha Sylë Ukshini:
“Kryeministri Kosumi thotë, fitues i vërtetë i këtyre zgjedhjeve është demokracia dhe Shqipëria. Jam i impresionuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, të cilat janë një konfirmim i pjekurisë politike të qytetarëve shqiptarë dhe si të tilla, këto zgjedhje, krijojnë perspektivat për asociim dhe integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ne njohim dhe vlerësojmë lartë rolin e Partisë Demokratike dhe të lidershipit tuaj në forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve shumë të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Ukshini, duke përcjellur mesazhin e kryeministrit Kosumi.
Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i subjektit më të madh opozitar në Kosovë, Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, e përshëndet fitoren e demokratëve dhe pret që shteti shqiptar të vazhdojë me kursin e deritashëm të politikës së saj ndaj Kosovës:
“Dëshirojmë që rezultati i zgjedhjeve të jetë i pranueshëm për të gjitha subjektet politike atje dhe të vazhdohet përparimi i vendit. Ne mendojmë që shteti e ka politikën e vet ndaj problemit shqiptar dhe dëshirojmë që të vazhdohet politika në raportet që ka egzistuar. Neve si subjekt politik dëshirojmë që t'i vazhdojmë marrëdhëniet e mira me institucionet e shtetit në Shqipëri”, tha Krasniqi.
Me përgëzime për fitoren në zgjedhjet e 3 korrikut, zotit Sali Berisha dhe PD-së i janë drejtuar dhe subjekte të tjera politike nga Kosova.


Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG